Një sasi e konsiderueshme lënde shpërthyese është vendosur pranë një lokali në afërsi të gjimnazit “Petro nini Luarasi” në Tiranë. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 03:30 minuta dhe fatmirësisht ka shkaktuar vetëm dëme materiale.
Gazeta Si mëson se pak para shpërthimit, kamerat e sigurisë kanë fiksuar një person me kapuç, që ka lënë një pako në ambientet e jashtem të lokalit dhe më pas është larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes. Lokali në fjalë është në pronësi të shtetasit A.K.
Nga këqyrja e këtyre pamjeve, dyshohet se objekt i sulmit ka qenë pikërisht lokali i këtij personi, ndërkohë që dëme të konsiderueshme materiale kanë pësuar edhe një pjesë e bizneseve ngjitur me të.
Policia është duke punuar për të zbardhur nëse sulmi është një paralajmërim që lidhet me ndonjë konflikt të mundshëm të pronarit të lokalit. Dëshmia e këtij të fundit pritet që të hedhë më shumë dritë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.











