Pandemia e Covid-19 vuri në provë sistemet shëndetësore, vendimmarrjen politike dhe ekonomitë e të gjitha vendeve të botës. Të gjendur përpara një situate të re dhe të përbotshme, vende të ndryshme e kanë menaxhuar në mënyra të ndryshme.
Një analizë e thelluar e kryer nga një konsorcium kompanish dhe OJF në pronësi të Deep Knowledge Ventures, një firmë investimesh e themeluar në vitin 2014 në Hong Kong, rendit vendet që e kanë përballuar më mirë këtë situatë.
Raporti prej 250 faqesh rendit Zvicrën si vendin më të sigurt në botë për COVID-19. Në fund të listës, si vendi më i rrezikshëm, qëndron Sudani i Jugut.
Raporti bazohet në 130 parametra sasiorë dhe cilësorë dhe mbi 11 400 pika të dhënash në kategori si efikasiteti i karantinës, monitorimi dhe zbulimi, gatishmëria shëndetësore dhe efikasiteti i qeverisë.
Interesant është fakti se vihet re një ndryshim i rëndësishëm në renditjen e sigurisë gjatë muajve të pandemisë. Fillimisht, vendet që mund të reagonin shpejt ndaj krizave dhe kishin nivele të larta të gatishmërisë për emergjencë dhe u renditën më lart. Tani vendet me ekonomi elastike renditen më lart.
Shqipëria qëndron në vendin e 88 të listës me 200 vende të monitoruara për 130 parametrat në tërësi. Ajo renditet pothuajse në fund të listës për parametra si efikasiteti i qeverisë dhe monitorimi dhe zbulimi i rasteve të reja.
Efektiviteti i karantinës
E para në listën e 100 vendeve është Zelanda e Re, e ndjekur nga Singapori, Zvicra, Danimarka dhe Hong-Kongu. Shqipëria është në vendin e 69-të. Ndër vendet e rajonit, karantina ka rezultuar më efektive në Malin e Zi, që renditet i 23-ti, Greqia e 45-ta. Serbia qëndron e 79-a në listën që mbyllet me Jordaninë.
Efikasiteti i qeverisë
Në krye të listës së 100 vendeve qëndron Gjermania, e ndjekur nga Izraeli, Austria, Zvicra dhe Japonia. Shqipëria renditet në vendin e 95-të, ndërsa më mirë pozicionohen vende të rajonit si Greqia në të 33-tin, Serbia në të 67-in, Mali i Zi në të 74-tin. Lista mbyllet me Paraguajin në vendin e 100-të.
Monitorimi dhe zbulueshmëria
Në krye të listës për monitorimin dhe diagnostikimin qëndron Singapori, i ndjekur nga Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe, Japonia dhe Gjermania. Shqipëria renditet sërish nga fundi i listës, në vendin e 98-të, ndërsa lista mbyllet me Iranin, një nga vendet me numrin më të lartë të viktimave. Në këtë aspekt, krahasuar me Shqipërinë, më mirë kanë performuar vendet e rajonit: Mali i Zi në vendin e 31-të, Serbia në të 41-tin, Bosnja në të 49-tin dhe Greqia në të 83-tin.
Gatishmëria e sistemit shëndetësor
Në krye të listës qëndron Japonia, e ndjekur nga Gjermania, Zvicra, Finlanda dhe Austria. Shqipëria pozicionohet në vendin e 57-të, megjithatë më funksional konsiderohet sistemi shëndetësor i Serbisë, në vendin e 17-të, i Greqisë në të 28-tin dhe i i Malit të Zi në të 42-tin dhe i Bosnjes në të 50-in. Lista mbyllet me Laosin.
Përgatitja e urgjencës
Lista kryesohet nga Kina, e ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Hungaria, Australia dhe Hong-Kongu. Shqipëria renditet e 85-ta, në një listë që mbyllet me Laosin. Më mirë në raport me vendin tonë renditen vendet e rajonit s: Greqia në t 50-in, Mali i Zi në të 67-in, Serbia në të 75-in. (TemA TV)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




