Ekonomi

“Ulja e çmimit të energjisë nga HEC-et e vegjël dëmton buxhetin”

Konfindustria thotë se ulja e çmimit të energjisë së prodhuar nga HEC-et e vegjël rrezikon drejtpërdrejtë 600 mln euro investime të kryera, rrezikon të ardhurat e buxhetit dhe nuk sjellë benefite për konsumatorët.

“Pasojat e rënda të pritshme janë prej qindra milionë euro ndaj ekonomisë kombëtare të ardhura nga vendimi i fundit i njëanshëm, i fshehtë i qeverisë datë 13/5/2020, kundër prodhimit vendor të energjisë elektrike nga HEC-et e vegjël dhe të mesëm. Konfindustria kërkon nga ekzekutivi shfuqizimin sa më të shpejtë të vendimit në fjalë, me qëllim shmangien nga pasojat e rënda, që do të përballet ekonomia kombëtare, biznesi, buxheti dhe vetë serioziteti i shtetit shqiptar”- thotë Konfindustria.

Sipas saj, pasojat e pritshme negative ndaj ekonomisë kombëtare nga vendimi i ekzekutivit pritet të jenë shumëpërmasore, përfshi edhe rrezikun e qartë siç thotë Konfindustria,  nga përsëritja e penalizimeve të rënda të Gjykatave Ndërkombëtare ndaj shtetit shqiptar.

Shoqata e biznesit kujton se “përballja me Gjykatën Ndërkombëtare është paralajmëruar nga investitorë vendas dhe të huaj si dhe disa shoqata përfaqësuese të prodhuesve të energjisë si Area, etj.”

Duke renditur pasojat Konfindustria thotë se, rrezikohen drejtpërdrejt më shumë se 600 milion euro investime të kryera deri më tash nga 131 kompani, që rrezikojnë falimentin.

“Ndërkohë në asnjë rast ulja e cmimit të blerjes së energjisë nga prodhuesit vendorë nuk shoqërohet me ulje të cmimeve për konsumatorët biznes dhe familje. Rrezikohet gjithashtu seriozisht qëndrueshëmria e sistemit bankar, që ka kredituar me mbi 400 milion euro investimet e deritashme të HEC-eve të mesëm dhe të vegjël. Kemi goditje të drejtëpërdrejtë duke dëmtuar rëndë besueshmërinë e investitorëve të vendit dhe të huaj ndaj shtetit shqiptar.”- thotë Konfindustria.

Konfindustria vlerëson, se vendimi i ekzekutivit jo vetëm godet prodhimin vendor të energjisë elektrike, duke rrezikuar qëndrueshmërinë financiare të investimit, por njëkohësisht ndihmon drejtpërdrejt kompanitë importuese të energjisë të shoqëruara nga subjektivizmi dhe korrupsioni potencial.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë