Apartamente, dyqane, sipërfaqe toke në bregdet dhe llogari bankare të majme dhe automjete të markave më të fundit. Këto janë pasuritë e sekuestruara ndaj dy shtetasve zviceranë nga ana e Policisë shqiptare nën dyshimin e pastrimit të parave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Masat e sekuestrimit ndaj këtyre pasuritë në emër të shtetasve me inicialet H.L., 50 vjeç, lindur në Junik të Kosovës, banues në Olten të Zvicrës dhe R.S., 47 vjeç, lindur në Poloni dhe banues po në Olten të Zvicrës.
Policia e Shtetit njofton se vlera totale e pasurive të sekuestruara shkon mbi 2.1 milionë euro dhe ajo dyshohet se është vënë nga paratë e siguruara nga aktivitetet kriminale në Zvicër. Policia thotë se të dy personat e mësipërm, shtetas zviceranë rezultojnë me rekorde të theksuara kriminale.
Konkretisht, H. L. është nën hetim nga Prokuroria e qytetit Solothurn në Zvicër për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit dhe “Pastrim parash”. Ky shtetas është rezulton edhe i dënuar në Zvicër për veprat penale “Zhvatje me dashje”, “Sulm”, “Shtrëngim për dhënie pasurie”, “Shkelje e ligjit për armët”, në ngjarje të ndodhura në kohë të ndryshme.
Ndërkohë, shtetasi me origjinë polake, R.S., është në kërkim kombëtar në Zvicër për veprat penale që lidhen me kazinotë dhe dyshimet për pastrim parash.
Që të dy këta shtetas kanë investuar në Shqipëri paratë që dyshohet se buronin nga aktiviteti i paligjshëm në Zvicër kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme. Konkretisht, janë zbuluar 3 apartamente në Rrugën e Kavajës dhe një dyqan në Rrugën e Kavajës në Tiranë, rreth 5.5 dynim tokë në zonën e Radhimës në Vlorë, asetet e një kompanie transporti ndërkombëtar mallrash, që rezulton e mbyllur tashmë dhe llogari bankare në bankat e nivelit të dytë me 240 mijë euro dhe 210 mijë franga, si dhe 6 automjete luksoze, prodhim i viteve të fundit.
Masa e sekuestros preventive është miratuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, në bazë të materialeve të dërguara nga autoritetet zvicerane.
Ndërkohë, burime të gazetës “Si” njoftojnë se hetimet janë përqëndruar në identifikimin e pronave të tjera të mundshme me burim nga aktiviteti i paligjshëm i këtyre dy shtetasve, si dhe i personave shtetas shqiptarë me të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në operacionin e pastrimit të parave të pista.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




