Mendim

TVSH-ja: Një ushtrim i thjeshtë mbledhje-zbritje

Nga Meri Lika - Pas deklaratës së kryeministrit se nuk do të ketë një paketë të tretë për të ndihmuar në ringritjen e biznesit dhe të ekonomisë (në fakt nuk ka as të dytë), por se kjo ndihmë do të vijë me planin dhjetëvjeçar (më solli në kujtesë planet pesë vjeçarë të diktaturës), ku përfshihet heqja e tatimfitimit dhe e TVSH-së për biznesin e vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë.

Unë mendoj se ne duhet t’i japim fund kulturës “me TVSH apo pa TVSH”.

Taksat janë zëri kryesor i të ardhurave të shtetit në tërësi, megjithëse nuk është i vetmi.

Për një publik më të gjerë, që mund të më lexojë, më duhet të sqaroj në një gjuhë më të thjeshtë se çfarë janë taksat dhe si ndahen ato.

Taksa është një detyrim apo tarifë, të cilën njerëzit ose bizneset janë të detyruar t'i paguajnë ndonjë organizate apo shtetit, pa pasur një përfitim të drejtpërdrejtë për pagesën e saj.

Ato zakonisht ndahen në dy kategori:
- taksat direkte janë ato që taksojnë drejtpërdrejt njerëzit ose kompanitë. Për shembull, tatimi mbi të ardhurat, tatimi mbi fitimin, trashëgimia dhe dhurimet dhe tatimi mbi pasurinë;
- taksat indirekte janë ato që aplikohen për mallrat dhe shërbimet dhe për këtë arsye i prekin njerëzit në mënyrë “indirekte”, më e njohura është Tatimi i Vlerës së Shtuar ose TVSH-ja, por ka edhe të tjera si akcizat për karburantet, alkoolin, duhani, etj.

Ndikimi i taksave në ekonominë e një vendi është shumë i madh. Le të mendojmë për shpenzimet totale publike, të cilat janë një mënyrë për të matur atë që kushton Administrata, sepse të gjitha shpenzimet e saj duhet të paguhen nga qytetarët në një mënyrë apo tjetër, sot ose në të ardhmen (nga borxhi publik).

Ashtu si taksat edhe ndikimi i shtetit në ekonomi nuk është vetëm i madh, por edhe i shumëfishtë dhe kontradiktor, sepse disa gjëra i bëjnë mirë dhe të tjerët keq. Ka një debat të vazhdueshëm për gjërat që duhet të bëjë shteti dhe se si duhet t'i bëjë ato.

Por çfarë efekti do të ketë heqja e TVSH-së?
A do të ketë përfitim biznesi? Po konsumatori?

Po mundohem ta shpjegoj me një ushtrim fare të thjeshtë:

Rasti me TVSH

Një dyqan ushqimor, në muajin maj, blen nga biznesi i madh 1.200 lekë mallra, me TVSH.
Po në muajin maj, shet te qytetarët 2.400 lekë mallra me TVSH.
Në fund të muajit maj dyqani i paguan shtetit 200 lekë TVSH dhe ka një fitim bruto 2.000 (të ardhurat pa TVSH) - 1.000 (blerje malli pa TVSH) = 1.000 lekë fitim.

Rasti pa TVSH

Një dyqan ushqimor, në muajin maj, blen nga biznesi i madh 1.200 lekë mallra, me TVSH (sepse biznesit të madh nuk i hiqet TVSH-ja).
Po në muajin maj, shet tek qytetarët 2.000 lekë mallra pa TVSH.
Në fund të muajit maj dyqani ka një fitim bruto 2.000 (të ardhurat pa TVSH) - 1.200 (blerje malli me TVSH) = 800 lekë fitim.


Kjo ndodh sepse biznesi i vogël në kushtet kur shet pa TVSH nuk ka të drejtë të rimbursojë TVSH, pra në mënyrë automatike TVSH-ja që ai ka paguar në blerje, shkon në shpenzime për biznesin, duke i ulur fitimin.

Pra biznesi i vogël jo vetëm që nuk do të mund të rimëkëmbet por do të goditet akoma më shumë.

Në këto kushte biznesi i vogël do të përpiqet të blejë në të zezë, në mënyrë që të shmangë TVSH-në dhe kështu qeveria po e detyron biznesin të bëjë evazion fiskal.

Po konsumatori?

Duke qenë se biznesit të vogël i ulet fitimi, atëherë çmimet nuk mund të ulen, rrjedhimisht konsumatori nuk ka asnjë përfitim nga heqja e TVSH-së dhe po kështu, siç e theksova më sipër, asnjë përfitim nuk ka as biznesi i vogël e as konsumatori.

Masakra fiskale që po gatuhet do t’i japë goditjen finale ekonomisë sonë, e cila tashmë është në gjunjë.

Nuk është kjo zgjidhja për të ndihmuar biznesin, ka shumë mënyra për të ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë, një prej tyre është edhe nëpërmjet TVSH-së. E kam theksuar edhe në një artikull më parë, ndihma duhet të jetë te pagesa e TVSH-së. Biznesi duhet ta paguajë TVSH-në në momentin kur i paguhen faturat. Në të kundërt nëse për një periudhë të caktuar (këtë duhet ta vendos shteti) fatura nuk likuidohet, atëherë TVSH-në e paguan klienti, i cili nuk ka likuiduar akoma detyrimin e furnizimit që ka blerë.

Nuk mund të quhet ndihmë heqja e themelit të sistemit fiskal në një shtet.
Është mirë që të ndërgjegjësohemi të gjithë se duhet të paguajmë.

Një vend i drejtë është ai që përdor mirë taksat, por për këtë ne së pari duhet t'i paguajmë ato.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë