Politike

Provokimi i Serbisë: Qeveria “Hoti” varet nga Beogradi

Kryeministri i ri i Kosovës Avdullah Hoti është përballur sot me provokimin e parë nga Serbia, e cila duke se po tregon që në fillim dhëmbët qeverisë së udhëhequr nga Lidhja Demokraike e Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç deklaroi se qeveria "Hoti" është në duar e Beogradit, sepse varet nga votat e Listës Serbe.  I pyetur nëse Lista Serbe do të ketë bashkëpunim më të mirë me qeverinë e re, Gjuriç tha se ajo ka rol vendimtar për mbijetesën e qeverisë, e cila varet nga votat e saj për çdo vendim të rëndësishëm që do të kalojë në parlament.

Ky mesazh i prerë i Gjuriç vjen ndërkohë që Beogradi ka kërkuar shfuqizimin e masave të reciprocitetit të vendosura nga Albin Kurti, një vendim që po shihet edhe si testi i parë i madh për qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti. Duke folur në një intervistë për mediat serbe, Gjuriç ka deklaruar se Serbia pret nga kryeministri i ri i Kosovës të heqë sa më parë masën e reciprocitetit, e cila ka çuar drejt bllokimit të dhjetëra mauneve me mallra nga Serbia.

Marko Gjuriç

Pak pas deklaratë së tij, edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, ka deklaruar se shpreson që Hoti të anulojë sa më shpjet vendimin e marrë nga Kurti, në mënyrë që Beogradi dhe Prishtina të vazhdojnë dialogun dhe bashkëpunimin tregtar.

Ajo tha të enjten se vendimi për nisjen për dialogun nuk varet nga Serbia dhe se Beogradi mund të apelojë që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, por Kosova duhet të heqë pengesat që ka vënë në nëntor.

Duke iu përgjigjur kryeministres serbe, Lista Serbe është zotuar se Qeveria e re e Kosovës do të heqë masat e reciprocitetit, për mbrojtjen e interesave të popullit serb.

Kjo parti nuk ishte pjesë e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, me kreun e Vetëvendosjes që deklaroi se Lista Serbe është zëri i Beogradit në Kosovë.

Mbledhja e pare e kabinetit "Hoti", Gazeta Si, 2020

Por pas rrëzimit të tij pas mocionit të besimit, LDK nuk i kishte votat e nevojshme për formimin e qeverisë, duke lidhur një koalicion me Nismën, AAK-në dhe Listën Serbe.

Përpara miratimit të qeverisë në Kuvend, Hoti u zotua për të hequr çdo pengesë për dialog, përfshirë këtu edhe reciprocitetin me Serbinë.

“Veprimet e fundit nga Qeveria në detyrë nuk e ndihmojnë vendin. Ne jemi në dijeni se reciprociteti është pjesë organike e strukturës tonë ligjore. Por, ne sot kemi nevoje ta mbështesim dialogun me ndihmën e miqve tanë”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, me anë të heqjes së reciprocitetit, Kosova do të marrë sërish mbështetjen e aleatëve amerikanë.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë