Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka hapur sot rrugën formimit të një qeverie të re me në krye Avdulla Hotin, nga Lidhja Demokratike e Kosovës duke mbështetur dekretin e Presidentit, Hashim Thaçi.
Në një vendim që duket se ka shuar shpresat Albin Kurtit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, Gjykata thotë se, mos refuzimi i Vetëvendosjes për të propozuar një emër për kryeministrin e ri është një përpjekje për të bllokuar procesin e formimit të një qeverie të re.
Duke theksuar se ka ardhur koha për formimin e qeverisë, Gjykata Kushtetuese thotë se, “e drejta e parë për formimin e Qeverisë, i takon “partisë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”, përkatësisht Vetëvendosjes dhe në rast se kjo refuzon Lidhjes Demokratike të Kosovës. Presidenti Thaci thotë se ka pranuar emrin e Avdulla Hotit si të mandatuarin e LDK-së, një vendim që Kurti e çoi në Gjykatën Kushtetuese.
Presidenti Hashim Thaçi, ka reaguar duke thënë se mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Duke i dërguar një mesazh Kurtit, Thaçi ka bërë thirrje që partitë politike të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet të respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Pas tij, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje që të pranohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re, Avduallah Hotit.
“Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Sipas vendimit të gjykatës, dekreti i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, i cili thekson se votimi i një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë, nuk çon në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës.
Në vendim thuhet se, as Presidenti që është zgjedhur prej Kuvendit, nuk e ka kompetencën ta shpërndajë atë pa vullnetin e Kuvendit. Gjykata Kushtetuese shprehet në vendim se Kuvendi shpërndahet vetëm në tre raste: (nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit për Kryeministër nga Presidenti, nuk mund të formohet Qeveria; nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit; dhe nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh prej fillimit të procedurës së zgjedhjes së Presidentit, nuk zgjedhet ky i fundit. Ndërsa, në rast të votimit të suksesshëm të mosbesimit ndaj një Qeverie, Presidenti ka mundësinë, por jo detyrimin të shpërndajë Kuvendin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.