Kina nuk do të vendosë një objektiv specifik për rritjen ekonomike këtë vit – një shenjë se sa pasiguri ka mbjellë pandemia e koronavirusit në ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Kryeministri kinez Li Keqiang të premten (sot) ia atribuoi vendimin “faktorëve që janë të vështirë të parashikohen” për shkak të “pasigurisë së madhe” të shkaktuar nga Covid-19 dhe “mjedisit ekonomik dhe tregtar botëror”.
Kjo është hera e parë në dekada që Kina nuk ka vendosur një objektiv të rritjes për ekonominë e saj për këtë vit. Vitin e kaluar, Pekini synoi rritjen në intervalin mes 6% dhe 6.5%. PBB u rrit me 6.1%, ritmi më i ngadaltë i rritjes në gati 30 vjet.
Pandemia e koronavirusit dhe bllokimi i aktiviteteve në pjesën më të madhe të Kinës shkaktoi një goditje historike në ekonominë e vendit. PBB-ja u tkurr 6.8% në tremujorin e parë, tkurrja e parë që Pekini ka raportuar që nga viti 1976.
Dhjetëra miliona njerëz u detyruan të mbesin pa punë nga pandemia, dhe analistët dyshojnë se problemi i papunësisë është më i madh se sa ai që ka raportuar Pekini zyrtar.
Ekonomia e Kinës gjithashtu përballet me presion të jashtëm. Pandemia globale ka shkaktuar një rënie të kërkesës dhe peshoi sektorin e madh të eksporteve të Kinës.
Dhe tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës po shfaqen përsëri, duke rritur mundësinë që të dy mund të ringjallin luftën tregtare.
Li, i cili njoftoi në lidhje me mungesën e një objektivi të PBB-së për këtë vit në mbledhjen vjetore të Kongresit Kombëtar të Popullit – parlamenti i vendit – në vend të kësaj bëri me dije një seri objektivash të tjerë që qeveria ka caktuar për këtë vit.
Pekini dëshiron të krijojë nëntë milion vende të reja pune për të ndihmuar në forcimin e punësimit në vend, tha ai dhe kjo është një përparësi kryesore. Li gjithashtu përshkroi qëllimet për të ndihmuar në sigurimin e standardeve themelore të jetesës dhe eliminimin e varfërisë.
“Përballë ndryshimeve në mjedisin e jashtëm, ne duhet të qëndrojmë të përkushtuar për të hapur dyert tona ndaj botës, t’i mbajmë zinxhirët tanë industrialë dhe të furnizimit të qëndrueshëm dhe të hapemi ndaj një katalizatori për reformën dhe zhvillimin”, tha Li. Burimi CnnBusiness/Shqipëroi Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




