Politike

Meta: Shembja e Teatrit, veprimtari e strukturuar kriminale

Presidenti Ilir Meta gjatë një aktiviteti në qytetin e Kavajës bëri apel për të mbrojtur trashëgiminë historike dhe kulturore të vendit. Kreu i shtetit, tha se çdo prekje e kësaj trashëgimie është e palejueshme dhe cënim i identitetit kombëtar dhe kulturor.

“Teatrin e mbron më mirë se kushdo tjetër Kushtetuta dhe Konventat ndërkombëtare ku Shqipëria aderon dhe prevalojnë mbi çdo akt tjetër. Më duket një marrëzi e jashtëzakonshme çdo përpjekje për të prishur teatrin pa shteruar rrugën Kushtetuese dhe ligjore të kësaj çështje që ka marrë një dimension të qartë ndërkombëtar dhe evropian. Më duket një papërgjegjshmëri përtej çdo ekstremi dhe përtej çdo llogarie sepse nuk kemi të bëjmë thjesht me një shkelje të Kushtetutës, shkelje të ligjeve, nuk kemi të bëjmë thjesht me përgjegjësi penale të personave që do të përfshiheshin në shkatërrimin e TK, por aktet e bëra publike në 24 orë, flasin në mënyrë të qartë  për një veprimtari të mirëstrukturuar kriminale që do të ishte paamnistueshme në çdo kohë ”, tha Meta.

Kreu i shtetit hodhi akuza të forta ndaj Bashkisë Tiranë dhe krahasoi prishjen e teatrit me atë të kishave në vitin 1967.

“Na mjaftojnë kujtimet e kazmave të komunizmit ndaj kishave, kulturës në 1967. Në këtë situatë ende pandemie në vend që të merremi me përballimin e pasojave nuk mund të bëjmë një marrëzi të tillë ti vëmë kazmën TK dhe duke i vënë kazmën përpjekjeve tona për të ecur bashkë me Maqedoninë e Veriut në rrugën e Integrimit. Do të ishte një provokim serioz për paqen sociale që në këtë moment është shumë e rëndësishme për vendin. Shpresoj që ato fakte që kam parë  në media të mos jenë të vërteta”, tha Presidenti.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, presidenti Meta ka reaguar sërish kundër vendimit për shembjen e Teatrit Kombëtar. Kreu i shtetit ka publikuar disa foto nga Xhamia Kubelie, e ndërtuar në vitet 1700, duke bërë thirrje për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit tonë, sepse çdo humbje është jo vetëm e parikuperueshme por edhe një cenim i identitetit tonë kombëtar, që nuk duhet lejuar të ndodhë më.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/3006810122698574

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë