Sociale

Me 20 raste të reja në ditë, Maqedonia e Veriut lehtëson masat e izolimit

Në Maqedoninë e Veriut nga sot ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave, pavarësisht se numri i të prekurve vazhdon  të jetë i lartë. Vetëm sot janë zbuluar 20 raste të reja, ashtu si tre ditët e fundit dhe janë shënuar 3 viktima.  Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 në vendin fqinj ka arritur në 95. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në vendin fqinj janë shënuar 1694 raste me koronavirus, 1229 e të cilëve janë shëruar.

Sot kanë rinisur punën qendrat tregtare por jo dhe restorantet dhe kafenetë që gjenden në  to, organet e administratës, auto-shkollat, bastet sportive përmes sistemit të sporteleve, qendrat për edukim, trajnim dhe seminare për të rritur dhe sektorë të tjerë.

“Kemi marrë vlerësime se po hyjmë në një periudhë kur presim rënie të intensitetit të përhapjes së koronavirusit”, ka deklaruar kryeministri, Oliver Spasovski duke theksuar se vendi fqinj është gati për kalimin në fazën e dytë.

Nisja e lehtësimit të masave është mirëpritur nga bizneset, të cilat thonë se po përballen me pasoja të rëndë ekonomike, rënie të vëllimit të punës, mbylljen e tyre dhe largimin e punëtorëve nga puna.

“Kjo situatë ka ndikuar shumë negativisht dhe nuk e di nëse do të arrijmë të mbijetojmë”, thotë për mediat Bujamin Hasani, drejtues i një agjencie turistike.

“Një biznes privat, të mbetet gjashtë javë pa shitje është shumë e rëndë… unë nga kjo punë ushqehem, shkolloj fëmijët, kam prindërit, duhet të kujdesem për ilaçet e tyre, se di, e kemi vështirë të bëjmë edhe pagesat e ujit e të energjisë elektrike”, thotë Skënder Limani, pronar i një dyqani në Shkup.

Drejtuesit e bizneseve kërkojnë nga institucionet që të dalin sa më shpejt me masa konkrete për fazën e dytë. Spasovski ka thënë se të gjitha subjektet do të njoftohen me kohë për masat që pritet të miratohen. Sipas tij, stabilizimi i gjendjes do të mundësonte rimëkëmbjen e ekonomisë, por edhe mbajtjen e zgjedhjeve të cilat pritet të mbahen këtë verë.

“Jam i bindur se faza e parë do të pasohet me uljen e mëtejshme të kërcënimit nga koronavirusi,  në mënyrë që të mund të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare”, ka theksuar Spasovski.

Faza e dytë, që pritet të nisë nga java e ardhshme, do të përfshijë rinisjen e punës së restoranteve, kafeneve dhe objekteve tjera , por nën masa dhe protokolle të rrepta për të mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

Kryeministri Spasovski ka thënë se gjatë kësaj periudhe do të vazhdojnë kontaktet me autoritetet e vendeve fqinje mbi mundësinë e hapjes së kufijve, por edhe të aeroporteve, duke ndjekur masat që po ndërmarrin shtetet evropiane dhe më gjerë. 

Nga fundi i muajit maj dhe fillimi i qershorit do të nisë faza e tretë, që nënkupton normalizimin e plotë të gjendjes, por në rrethana të reja që parashikon masa mbrojtëse, si maska, dezinfektim të objekteve dhe distancë fizike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë