Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gjykon se kriza e shkaktuar nga Pandemia Covid-19 nuk është e atyre përmasave që të përdoren rezervat valutore që aktualisht janë në nivelin e 3.2-3.3 miliardë.
Në një intervistë të dhënë për revistën ekonomike “Monitor” ai sqaron se rezerva valutore, përdoret vetëm në raste mjaft të veçanta dhe jemi ende mjaft larg plotësimit të premisave që mund ta aktivizonin këtë instrument. Rasti i fundit kur është përdorur rezerva valutore, jo në funksion të stabilitetit monetar e financiar të vendit, por për të zbutur pasojat e një krize ekonomike, është fundi i viteve ’80.
Guvernatori Sejko pohon se fondet e nevojshme për adresimin e pasojave të goditjes me të cilën po përballemi mund të sigurohen në tregun lokal dhe në monedhën tonë kombëtare.
As opsioni tjetër ai i “Helicopter money ” për kreun e Bankës Qendrore Shqiptare nuk është aspak i zbatueshëm.
“Përdorimi i operacioneve të tipit helicopter money nga bankat qendrore të ekonomive të zhvilluara dhe në zhvillim, deri më sot, mbetet një opsion teorik, i pazbatuar në praktikë”- thotë ai.
Një operacion i tillë, sipas guvernatorit, ku shpërndarja e parave nuk do të mbështetej nga nevojat reale të ekonomisë, do të çonte në rritjen e inflacionit, do të ngarkonte Bankën e Shqipërisë me humbje, ç’ka do të transferohej në një rritje të borxhit publik.
Teksa është e pashmangshme që ekonomia këtë vit të pësojë humbje të mëdha, guvernatori Sejko ndjehet optimist se ndonëse goditja është mjaft e fortë, përgjigjja e koordinuar e politikave makroekonomike krijon premisa për rikuperimin e shpejtë të aktivitetit ekonomik pas përfundimit të saj.
Projeksionet e BSH-së për tkurrjen ekonomike, thotë guvernatori, janë ngjashëm me ato të institucioneve ndërkombëtare, por që nuk do të kenë ndikim afatgjatë në rritjen e qendrueshme.
“Në rast se kriza zgjatet dhe perspektiva ekonomike bëhet dhe më sfiduese, autoritetet publike duhet të marrin në konsideratë një rritje të mëtejshme të stimulit ekonomik, por kjo është diçka për të cilën ne jemi të ndërgjegjshëm dhe të vëmendshëm”.- shprehet ai.
Guvernatori gjatë konferencës për shtyp të pak ditëve më parë pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, do të shprehej se nëse kriza zgjat dhe do të ketë nevojë për stimuj nga ana e BSH, do të përdoren stimujt jokonvencional duke patur si qëllim rritjen e vëllimit të likuiditetit në ekonomi.
“Në terma operacionalë, përdorimi i këtij instrumenti nënkupton blerjen nga banka qendrore të letrave me vlerë të qeverisë në tregun dytësor. Me fjalë të tjera, në bilancet e bankave tregtare do të ketë më pak letra me vlerë të qeverisë dhe më shumë likuiditet, të disponueshme për financimin e sektorit privat. Sikundër e thashë, ky është një instrument jokonvencional i politikës monetare, pasi ai përfaqëson një injektim të përhershëm likuiditeti në sistem. Për këtë arsye, përdorimi i tij bëhet vetëm në raste specifike, të cilat unë i parashtrova më sipër, dhe për periudha të kufizuara kohore. Pa dashur të paragjykoj vendimmarrjen e ardhshme të Bankës së Shqipërisë, mund të them se përdorimi i këtyre instrumenteve është pjesë e planit tone të kontingjencës, por aktivizimi i tij do të kryhet në rast se konstatohet nevoja për përdorimin e tij. Sa më sipër, gjej me vend të theksoj se – në mënyrë indirekte – opsioni i përdorimit të instrumenteve të lehtësimit sasior e bën dhe më të largët nevojën e përdorimit të rezervës valutore dhe “helicopter money”- shprehet guvernatori.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë pritet të hedhë në treg prerje të reja 1.000 dhe 10.000 lekë.
Guvernatori e shpjegon rritjen e parasë fizike në qarkullim si kërkesë e tregut për të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




