Ekonomi

Bujqësia/ Rimbursohet TVSH-ja për fermerët që rinovojnë plastmasin e serrave

Ministria e Bujqësisë bën me dije se në Skemën Kombëtare të këtij viti një nga masat mbështetëse për fermerët është edhe zëvendësimi i plastmasit në serra dhe tunele plastike.

Aplikimet për fondet e Skemës Kombëtare të këtij viti do të nisin brenda muajit maj. Të gjitha veprimet do të bëhen online me zero dokumenta. Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare për vitin 2020 është 743,9 milionë lekë dhe pritet të përfitojnë rreth katër mijë fermerë.

Plastmasi, që përdorin fermerët për prodhimin në mjedise të mbrojtura, si serra apo tunele plastike, aktualisht nuk është i përjashtuar nga TVSH-ja që aplikohet për inputet bujqësore.

“Çdo fermer që do të ndryshojë plastmasin, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nëpërmjet Skemës Kombëtare të mbështetjes do t’i paguajë pjesën e taksës që ata japin kur blejnë plastmasin si lëndë e parë”, tha ministri Çuçi teksa vizitoi në Fier një nga serrat më të mëdha të prodhimit të luleshtrydhes në fshatin Kafaraj. 

Nëpërmjet pagesave nga Skema Kombëtare synohet të bëhet kompensimi i kësaj vlere, çka ndikon në uljen e kostos së prodhimit të perimeve dhe luleshtrydhes, të cilat janë produkte me peshë të konsiderueshme edhe në eksportet bujqësore.

Ministria thotë se, ndonëse pati një çekuilibrim momental të tregut në ditët e para të pandemisë së Covid-19, aktualisht luleshtrydhja është një nga produktet bujqësore që po shitet me çmimin mesatar më të lartë që prej 6 vitesh, rreth 200 lekë për Kg.

Gjatë muajit prill 2020, bën me dije Ministria e Bujqësisë, eksporti i fruta-perimeve u rrit me 14.3% krahasur me prillin e një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë