Ekonomi

Paga e luftës/Si mund të përfitojnë punonjësit e lënë jashtë për gabime në formular

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka dhënë edhe një mundësi tjetër punonjësve të cilët kanë mbetur pa marrë pagën e luftës për shkak të gabimeve në plotësimin e formularit.

Tatimet shpjegojnë se tatimpaguesit, të cilët në formularin “Kërkesë për ndihmë financiare”, Paketa 1, kanë plotësuar gabim të dhënat e llogarisë bankare (emri i Bankës dhe/ose IBAN), për punonjësit e tyre, përfitues të ndihmës financiare, kanë mundësi t’i korrigjojnë ato, duke plotësuar të dhënat e sakta në formularin që kanë plotësuar më parë.

Sipas tatimeve, korrigjimi i të dhënave është i mundur vetëm për individët të cilëve iu është miratuar kërkesa për ndihmë financiare dhe nga bankat e nivelit të dytë nuk është procesuar kalimi i masës së përfitimit në llogaritë e individëve, për shkak të të dhënave të pasakta te llogarive bankare.

Identifikimi i individëve për të cilët duhen korrigjuar emri i Bankës dhe/ose IBAN në Formular, është tepër i thjeshtë, pasi statusi i tyre i pagesës është kthyer nga Banka për pasaktësi.

Tatimet sqarojnë se, pas korrigjimit të të dhënave të llogarive bankare, nuk do të jetë i nevojshëm asnjë verifikim i mëtejshëm, por do të vijohet menjëherë me procesimin e pagesës dhe kalimin e shumës prej 26.000 lekë në llogarinë e secilit individit përfitues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë