Duke filluar nga java e ardhshme e gjithë Shqipëria do të ndjejë një lehtësim të masave kufizuese të lëvizjes, me përjashtim të gjashtë bashkive, që mbeten ende zona të kuqe Covid-19.
Tirana, Shkodra, Fieri, Durrësi, Kruja dhe Kurbini, ku janë pjesa më e madhe e vatrave aktive të koronavirusit do të vazhdojnë me të njëjtin regjim kufizimesh si këtë javë.
“Këto zona do të blindohen me postblloqe dhe nuk do të lejohet hyrje-dalja e automjeteve të paautorizuara”, deklaroi Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në zonat e tjera, të konsideruara zona të gjelbra do të lejohet qarkullimi me automjet privat, edhe ndërqytetas, ndërsa në fuqi do të mbeten rregulla më të zbutura kufizuese të lëvizjes dhe liridaljes.

“E gjithë pjesa tjetër e vendit do të jetë e gjelbër dhe qarkullimi ndërqytetas me automjet privat brenda gjithë kësaj pjese do të jetë i lirë, me një regjim orar që do të shtrihet deri në orën 21.00. Për këtë pjesë do të mbeten në fuqi vetëm rregullat që ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave, aktivitetet kulturore e sportive të çdo lloji, transportin publik si edhe njësitë ekonomike ende të mbyllura”, deklaroi Rama.
Sa i takon fundjavës, në fuqi do të jenë edhe këtë herë kufizimet e lëvizjes sipas planit të javës së kaluar. Rama tha se kjo është fundjava e fundit kufizuese për vajzat dhe djemtë mbi 14 vjeç.
“Këtë fundjavë njësoj si fundjavën e shkuar, në të gjithë vendin do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që kanë autorizim për punë dhe dalja e këmbësorëve do të bëhet me dy fasha: Deri në orën 09.30 vetëm pensionistët dhe nga ora 10.30 deri në 17.30 prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç. Nëse situata me numrat e të infektuarve dhe të të shtruarve në spital vazhdon të jetë e stabilizuar, kjo do të jetë fundjava e fundit me ndalim daljeje për vajzat e djemtë mbi 14 vjeç”, sqaroi Kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




