Qeveria ka një parashikim dy herë më të zymtë se Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore mbi rënien e ekonomisë për 2020. Dy institucionet financiare ndërkombëtare parashikojnë që ekonomia shqiptare të tkurret me 5 deri në 5.5 për qind për këtë vit.
Por, Kryeministri Edi Rama zbuloi këtë të mërkurë se parashikimet e Qeverisë shkojnë në një tkurrje deri në 10 për qind. Megjithatë, ai refuzoi që ta cilësojë këtë recesion.
“Ne besojmë që goditja do të jetë më e thellë dhe këto do ta shikojmë. Kemi vënë disa instrumenta për përballimin e kësaj faze të parë. Nuk flitet më për jetesë normale, por për mbijetesë sa më normale. FMN ka parashikuar 5-5.5 për qind. Ne parashikojmë mes 8 dhe 10 përqindëshit për këtë vit do të kalojmë në negativ. Nuk ka asnjë që do të qëndrojë në pozitiv. Nuk quhet recesion, por është goditje momentale e ekonomisë”, tha Rama në një intervistë dhënë për “ABC e Mëngjesit”.
Kryeministri u shpreh optimist se ekonomia do të ringrihet. Lidhur me turizmin, Rama paralajmëroi se në javët e ardhshme do të ketë një vendim për masën e hapjes që do të vendoset duke marrë parasysh edhe vendimet e vendeve të tjera, përfshirë këtu vendet fqinje. Lidhur me likuiditetin në këtë sektor, kreu i Qeverisë tha se është vënë në dispozicion një instrument garancie, ndërsa nuk përmendi stimuj të tjerë financiarë, duke argumentuar se aktualisht industria e turizmit ka taksat më të ulta në rajon.
“Po përpiqemi që të gjejmë një zgjidhje për turizmin. Dilema është që a duhet apo jo të hapemi gjerësisht për të përfituar nga mbyllja e të tjerëve, apo do të jemi të kujdesshëm. Sa i takon likuiditetit kemi vënë në dispozion një instrument të fuqishëm garancie që u mundëson operatorëve që të fuqizojnë kapitalin qarkullues përmes këtij instrumenti, ndërsa për taksat ka taksa më të ulta sot që flasim”, u shpreh ai.
Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë parashikuar më herët që ekonomia e Shqipërisë të tkurret me 5 deri në 5.6 për qind, duke e përfshirë atë në grupin e vendeve më të prekura ekonomikisht nga pandemia, pasi janë marrë parasysh më herët edhe dëmi i shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit.
BB parashikon se ulja ekonomike e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor pritet të jetë rreth 3,1 % gjatë vitit 2020. Për Bankën Botërore përpos krizave post-tërmet dhe Covid-19 mbeten rrezik eminent fiskal PPP-të dhe ndërmarrjet shtetërore të energjisë.
Ndërkohë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka identifikuar dy pika të dobëta të Shqipërisë për të përballuar krizën. Pika e parë është numri i paktë i mjekëve për 100 mijë banorë, që do të thotë se kapacitetet e vendit për të zbatuar masa lehtësuese janë të kufizuara dhe pika e dytë është varësia nga turizmi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje