Politike

Vasili publikon emrat: Komiteti i ekspertëve, një freskore e Qeverisë

Petrit Vasili nga Lëvizja Socialiste për Integrim thotë se përbërja e Komitetit të Ekspertëve është i ngritur kundër ligjit dhe në të vërtetë është një task forcë e varur plotësisht nga Qeveria.

Nënkryetari i LSI-së ka reaguar pas deklaratës së ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu që zbuloi se grupin e ekspertëve të Covid-19 e drejton zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Sipas Vasilit, drejtimi prej një zv.ministre është tërësisht i paligjshëm. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai publikon emrat e të gjithë anëtarëve dhe thotë se i gjithë grupi në të vërtetë është një task forcë qeveritare dhe jo grup ekspertësh i ngritur sipas parashikimeve të ligjit për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive.

“Veprimtaria e grupeve të ekspertëve bazohet në parimet e ekselencës, pavarësisë, paanësisë dhe transparencës. Çdo ekspert duhet që, përpara çdo vlerësimi, të plotësojë një deklaratë të konfliktit të interesit dhe përkushtimit, duke përfshirë këtu çdo aktivitet, pozicion, rrethanë ose fakte që përfshijnë interesa të lidhur, në mënyrë direkte apo indirekte, me atë që ai do të kryejë, në mënyrë që të identifikohen interesat që mund të konsiderohen të dëmshme për pavarësinë e këtyre ekspertëve”, thotë Vasili.

Ky, sipas nënkryetarit të LSI-së është përcaktimi ligjor dhe drejtimi i ekspertëve nga zv.ministrja bie plotësisht ndesh me këtë ligj.

“Ku është ekselenca, pavarësia, paanësia dhe transparenca, kur drejtimi është politik nga një zv.ministre politike, e cila nuk është as eksperte e fushës? A e kanë plotësuar ekspertët deklaratën konfliktit të interesit dhe përkushtimit që sigurojnë pavarësinë e tyre sipas nenit 24 pika 8 të ligjit?”, pyet Vasili.

Sipas tij, i gjithë grupi nuk është gjë tjetër veçse një task forcë qeveritare.

“Në të gjithë grupin ka vetëm një epidemiologe, që është Silva Bino, në një kohë që duhej të ishte e kundrta dhe shumica dërrmuese duhej të ishin epidemiologë, pasi kemi të bëjmë me një pandemi. Ç’punë kanë drejtorë qeverie gjithfarësh në një grup, që duhet të përbëhet nga ekspertë të mirëfilltë? Si mund të jenë të pavarur drejtorët e Qeverisë? Kjo është ta shndërrosh të ashtuquajturin grup në një freskore të Qeverisë dhe asgjë më shumë.

Emrat e publikuar nga Petrit Vasili si anëtarë të Komitetit të Ekspertëve:

Kryesohet nga zëvendësministrja Mira Rakacolli dhe përbëhet nga 11 anëtarë të tjerë:
Flutra Beqo, drejtoreshë në Ministrinë e Shëndetësisë
Albana Fico, drejtoreshë në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP)
Silva Bino, drejtoreshë në ISHP
Vjollca Braho, kryeinspektore e ISHP-së
Najada Çomo, përgjegjëse shërbimi në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT)
Tritan Kalo, mjek infeksionist në QSUT
Skënder Brataj, drejtor i Urgjencës Kombëtare
Mirela Cami, drejtoreshë e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetesor
Andi Koraqi, përgjegjës shërbimi në QSUT
Gjeorgjina Lito, infeksioniste pediatre në QSUT
Narvina Sinani, drejtoreshë Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë