Irena Beqiraj
Punësim me “lugë” apo rritje e produktivitetit!
Milton Freidman në vitin 1960 në një nga udhëtimet e tij në Azi vendosi të vizitonte një kantier ndërtimi. I çuditur nga fakti që në kantier pa njerëz me lopata që lëvizin dheun, dhe jo makineri (eskavatorë ) pyeti: Përse nuk përdorni makineri ? Përfaqësuesi i qeverisë që e shoqëronte i përgjigjet - “ Nuk e kuptoni? Eshtë një program punësimi .” Freidman i kthehet plot ironi - Ah, mendova se donit të ndërtonin një kanal . Nëse doni thjesht të punësoni sa më shumë, ju duhet t’ju jepni punëtorëve tuaj lugë jo lopata ”
Rritja ekonomike, e cila sipas Hararit është “Perëndia Supreme pasi drejtësia, liria, madje dhe lumturia varen direkt nga rritja ekonomike”, përcaktohet nga dy komponentët që qartazi i tregon biseda e Freidman-it me Qeveritarin Aziatik”. Norma e rritjes është numerikisht e barabartë me ndryshimin e përqindjes në prodhimin real për një punëtor (e quajtur ndryshe "produktivitet") plus ndryshimin në përqindje të numrit të punëtorëve.
Po cili nga këto të dy variabël është i rëndësishëm? Matematikisht të dy tingëllojnë njësoj të rëndësishëm. Nëse gjatë një periudhe numri i të punësuarve do të ulej me 10% duhet të rritet produktiviteti mesatar i punëtorit të paktën me 10% në mënyrë që të mos përjetonim ulje ekonomike ose kontraktim. Raporti i Zhvillimit Botëror i Bankës Botërore 2013 (WDR) argumenton se vendet e punës, janë çelësi që njërzit të dalin nga varfëria pasi një vend pune u mundëson atyre të përdorin të vetmin aset që kanë krahun e punës, për të krijuar të ardhura. Por një rritje ekonomike që vjen si rezultat thjesht i punësimit, pa rritje në produktivitet ose dhe më keq zvogëlim të tij, nuk mund të jetë afatgjatë për ekonominë.
Të dhënat e INSTAT për periudhat, 2005-2012 dhe 2013 -1019 tregojnë trendin e mëposhtëm të rritjes ekonomike si dhe të dy variablave përcaktues të saj, ndryshimin e numrit të të punësuarve dhe ndryshimin në produktivitetin mesatar për të punësuar.
2005-2012 | 2013-2019 | |
Rritja kumulative ekonomike | 35.7% | 19.1% |
Ndryshimi kumualtiv e nr. I të punësuarve në vite | 3.2% | 18.6% |
Ndryshimi kumulativ në produktivitetin për të punësuar | 32.5% | 0.5% |
Kuptohet një faktor i cili do të vendoste në një dyshim të rëndësishëm bazën krahasimore midis këtyre të dhënave është informaliteti në deklarimin e të punësuarve në vitet 2005-2012, dhe formalizimi i tyre gjatë periudhës 2013-2019. Informaliteti shtrembëron padyshim konkluzionet, të cilat në mënyrën sesi paraqiten të dhënat më sipër tregojnë që rritja ekonomike gjatë periudhës 2005-2012 ka ardhur më së shumti si rezultat i rritjes së produktivitetit ndërsa gjatë periudhës 2013-2019 ka ardhur si rezultat i punësimit.
Por fakt është që jashtë propagandës së “300,000 vendeve të punës “ duhet zhveshim rritjen e punësimit nga efekti i formalizimit dhe në të njëjtën kohë duhet të pranojmë se periudha 2013-2019 ka qenë një periudhë e ritmeve të ulta të rritjes për produktivitetin në gjithë botën .
Por pavarësisht trendit rënës së produktivitetit global pas krizës së 2008, Shqipëria e ka atë një problem thelbësor të rritjes ekonomike. Një studim i Bankës Botërore (2019) tregon se në sektorin e tekstileve, veshjeve dhe lëkurës, një kompani mesatare në BE është 5 herë më produktive se një kompani mesatare shqiptare. Kjo do të thotë që një kompani shqiptare e veshjeve ka nevojë për 5 herë më shumë” “punëtorë me lopatë “ për të prodhuar të njëjtin prodhim sesa një kompani në BE, punëtorët e të cilës përdorin makineri dhe kanë njohuri në përdorimin e tyre. Ky sector që rezulton me produktivitet 5 herë më të ulët, zë 24 % të punësimit në Shqipëri . Ndërkohë që 25% e punësimit sot e ka një sektor me produktivitet edhe më të ulët: sektori i tregëtisë dhe riparimeve.
Punësimi sipas sektorëve të ekonomisë në Shqipëri
Politikanët përgjithësisht e shikojnë ekonominë si “program punësimi “. Ato nuk ngurojnë të quajnë arritje dhe përgjegjshmëri, rritjen ekonomike që vjen nga “punësimi me lopatë” . Por që prej vitit 1956, Robert Solow (fitues i çmimit Nobel në 1987) na sygjeron , “që duhet të pranojmë e të kuptojmë që rritja ekonomike varet nga çdo veprim apo politk-bërje që zgjeron në mënyrë të përhershme formimin e kapitalit njerëzor dhe kapitalit fiks të një vendi ( investimet)”.
Pra , nëse na intereson mirëfilli zhvillimi ekonomik i Shqipërisë do të na duhet t’i ikim “ vetëkënaqësisë politike afatshkurtër të vendeve të punës” dhe të fokusohemi tek zgjidhja afat-gjatë e rritjes së produktivitetit i cili bazohet tek, përditësimi i njohurive, difuzioni i teknologjisë dhe inovacioni, si dhe tek formimi i kapitalit fiks.
“The Economist” raporton që :”Valët e zhvillimit industrial të vërejtura në vitet 1920 vinin çdo 50-60 vjet . Nga fundi i viteve 1990, valët e zhvillimit intustrial u përshpejtuan me të pakën dy herë, pra ardhja e tyre vërehet 25-30 vjet. Në 2040 shpeshtësia e tyre duket se do të dyfishohet përsëri. Valët e inovacioneve të reja do të vinë çdo 10-15 vjet.”
Si mund t’i adoptojmë edhe përditësojmë njohuritë tona me një frekuencë kaq të shpeshtë ndryshimi ? Qasja logjike e adaptimit do të ishte ërditësimi më i shpeshtë i kurrikulave arsimore. Reforma në arsim megjithëse e domosdoshme nuk mund të jetë kurrë e mjaftueshme. Sot është bërë imperative të mësuarit përtej viteve të shkollës. Sot ka mungesë të vërtetë në përpjekjet e bëra drejt mësimit të vazhdueshëm pas diplomimit. Ndërsa vendet e punës bëhen gjithnjë e më teknike, rritet rëndësia e trajnimit në punë. Duhet të krijojmë dhe ofrojmë të gjithë stimujt që do të mundësonin të mësuarit e vazhdueshëm.
Elementi i dytë që lidhet me produktivitetin ka të bëjë me difuzionin dhe shpërndarjen e teknologjisë. Analiza e Institutit Global McKinsey, tregon që shumë vende në mbarë botën mund të përfitojnë jashtëzakonisht shumë nga adoptimi më i shpejtë i teknologjive që tashmë ekzistojnë. Dhe për vet vendet G - 20, 75% e produktivitetit e ka bazën tek përvetësimi i shpejtë i teknologjive ekzistuese dhe 25% tek inovacioni. Bizneset dhe politik-bërësit duhet të mendojnë se si mund të shpejtohet ky proces.
Elementi i tretë por jo më pak i rëndësishëm është formimi i kapitalit fiks, ose Investimet.
Një nga çelsat e suksesit të ekonomisë së dytë në botë , Kinës , konsiderohet norma e lartë e kursimeve kombëtare. Por këto norma nuk do të kishin vlerë pa një ndërmjetësim financar eficient. Kjo eficiencë, lidhet me funksionimin e plotë të tregut të kapitaleve dhe ekzistencën e ndërmjetësve financarë (jo banka). Pikërisht kompletimi dhe mirëfunksionimi i kësaj infrastrukture financiare rrit mundësinë e trasformimit të kursimeve në investimeve kapitale, duke rritur kështu edhe produktivitetin.
Megjithëse ne konsiderohemi një vend me kursime të larta të cilat kapin rreth 66.7 % të PBB (viti 2019) formimi e kapitalit fiks bruto është anemik dhe në rënie.
Një nga faktorët që shpesh anashkalohet është pikërisht mungesa në “eficiencën në ndërmjetësim” Sot 2/3 e investimeve kapitaleve në botë financohen nga fondet e investimit dhe fondet private të pensioneve të cilat kanë avantazhin e financimit me afate shumë më të gjata sesa ndërmjetësit tradicional bankar.
Tanimë, është kusht i nevojshëm funksionaliteti i plotë i tregut të kapitalit i cili do të lehtësonte ndërmjetësimin e kursimeve të publikut drejt investimeve, dhe do të gjallëronte ekzistencën e ndërmjetësve të tjerë fiananciarë duke mos ia lenë më monopolin e vendimarrjes për financimin e ekonomisë vetëm bankave.
Eshtë në dorën tonë të zgjedhim të vazhdojmë t’iu mëshojmë tezave populiste “të rritjes së punësimit me lopate ose më keq me lugë” , apo dhe të vazhdojmë me naivitet të ftojmë investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri sepse krahu i punës është i lirë. Sikurse është në dorën tonë të zgjedhim të largohemi një herë e mirë mendësisë se konkurrencës “me paga të ulta “dhe t’i drejtohemi njerëzve dhe politikave të produktivitetit - jo vetëm sepse rritja ekonomike varet nga kjo, por edhe sepse ne kemi mundësi ta bëjmë një gjë të tillë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.