Ekonomi

LinkedIn: Punësime masive nga firmat e financës dhe IT

Ndonëse koronavirusi ka goditur rëndë shumë tregje të punës në botë, situata nuk është aq e zymtë sa duket. Kompanitë e Financës, teknologjisë dhe konsumit të produkteve ushqimorë po punësojnë me dhjetëra mijëra punonjës të rinj në ShBA dhe në vende të tjera sipas të dhënave nga rrjeti social LinkedIn.

Në shtatë vende të ndryshme nga ShBA-ja, Europa, dhe Azia, rekrutuesit e punonjësve të sistemit shëndetësor janë ndër më të zënët, e kjo ka sens sipas LinkedIn, duke marrë në konsideratë se koronavirusi ka vrarë më shumë se 200,000 njerëz e ka infektuar më shumë se 3 milionë njerëz në tërë botën. Por ndryshimet në stilin e jetës që kanë ardhur si rezultat i pandemisë kanë nxitur kërkesën për konsultues financiarë, punonjës të fabrikave, animatorë, dizenjues lojrash dhe punonjës të shpërndarjes (pra me delivery).

Në tërësi norma e punësimit ka rënë gjatë këtij tremujori krahasuar me vitin e kaluar, sipas survejimit të bërë nga kompania LinkedIn. Por të dhënat japin një dritë shprese e veçanërisht me Kinën në të cilën po vihet re një ngritje graduale e drejt normalitetit.

LinkedIn, me më shumë se 690 milionë përdorues në tërë botën, e numëron si punësim të ri kur një përdorues shton në profilin e tij një punëdhënës të ri. Raporti është numri i punësimeve të reja pjestuar me numrin total të përdoruesve të LinkedIn në një vend të caktuar.

Shifrat e gjurmuara që prej mesit të shkurtit, nuk përziehen me të dhënat nga institucionet shtetërore dhe nuk përfaqësojnë numrin aktual të punëve në një ekonomi. Shifrat qeveritare zakonisht prezantohen me një vonesë kohore (në terminologjinë angleze time-lag) prej disa javësh.

“Ne jemi konfidentë se të dhënat tona e paraqesin më së miri trendin e ekzistencës së një rënieje të madhe të punësimit në SHBA dhe jashtë vendit”, shprehet Guy Berger, ekonomist i vjetër për LinkedIn në Kaliforni, për Reuters.

Punësimi në Kinë ra me 50% gjatë pikut të krizës së koronavirusit gjatë mesit të shkurtit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por duke qënë se masat kufizuese janë lehtësuar në fillim të prillit përqindja e punësimit ka pësuar një rritje të lehtë, ndonëse gjer më tani punësimi vazhdon të rezultojë më i vogël krahasuar me vitin e kaluar, me 3% më pak.

Foto e rekruteses për punë e Fidelity Investments në Boston të ShBA-së

Punësimi në ShBA, Angli, Francë dhe Itali mbetet shumë i dobët aktualisht. Por, duket se shifrat po vijnë duke u ngritur, ndonëse me ritme të ngadalta, pasi këto vende kanë kaluar pikun e pandemisë e shumë prej tyre po mendojnë për rihapjen e ekonomisë.

Pikat e shitjes me pakicë si Walmart, Instacart dhe Amazon shprehen se do të punësojnë një total prej më shumë se 700,000 punonjësish për të përballuar kërkesën e lartë që po vihet re gjatë kësaj pandemie për produktet e frutave e perimeve, e produkteve të tjera esenciale shtëpiake.

Kompania Unilever, produktet e së cilës përfshijnë sapunët e shampot, konfirmoi të mërkurën se do të punësojë rreth 300 pozicione të ndryshme në nivel botëror.

Nestle shprehet për Reuters se po shikon për të mbushur rreth 5,000 pozicione të ndryshme full time në ShBA.

Fidelity Invvestments, një firmë për shërbime financiare me bazë në Boston, shprehet se e ka përshpejtuar proçesin e rekrutimit për shkak të pandemisë e po shikon të plotësojë të paktën 2,000 pozicione pune si konsultues financiar, inxhinier informatike dhe shërbimi klienti për operacionet e saj në ShBA.

Kompani të tjera që kanë nisur proçeset e punësimit në ShBA dhe në vende të tjera janë Apple, ByteDance (kompania mëmë e TikTok), Takeda  Pharmaceutical Co Ltd dhe Lockheed Martin Corp (kompani që merret me krijimin e teknologjive hapësinore e të mbrojtjes)./Reuters


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë