Shqipëria dhe Kosova janë vendet më numrin më të ulët të testimeve për koronavirusin në Ballkan, duke u tejkaluar nga vendet e tjera të rajonit. Si qeveria në Tiranë ashtu edhe ajo në Prishtinë, janë kritikuar disa herë për testimet, por deri më tani të dyja vendet kanë marrë rreth 7 mijë tamponë tek personat e dyshuar me koronavirusin e ri.
Në Kosovë, mjekët thonë se nuk kanë teste për të testuar të gjithë qytetarët e dyshuar.
Sipas faqes Worldometers, e cila gjurmon rastet e koronavirusit, Kosova ka mbi 1,7 milion banorë dhe 6,955 teste, që i bie se janë testuar mbi 3,970 persona në një milion banorë, ndërsa Shqipëria, me 2,603 persona të testuar në një milion banorë. Për numër banorësh, Shqipëria ka numrin më të ulët të testeve në rajon.
Serbia ka testuar mbi 7,700 persona në një milion banorë, Kroacia rreth 8,000 persona, Bosnjë e Hercegovina mbi 8,000, Maqedonia e Veriut rreth 7,300 dhe Mali i Zi ka testuar 8,100.
Mjekët në vijën e parë të betejës këmbëngulin se mënyra për izolimin e të infektuarve në kohë është gjurmimi dhe testimi masiv. Në Maqedoninë fqinje, janë bërë rreth 15000 testime dhe janë zbuluar 1400 raste. Edhe pse nuk ka ndonjë provë të drejtpërdrejtë që lidh numrin e të testuarve dhe atyre të viktimave, kurba e epidemisë në vendet e fqinjë ka treguar se rastet rriten kur forcohet kapacitetit i testimit.
Mikrobiologu Lul Raka, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, thotë nga ana tjetër se numri i mostrave varet nga numri i testeve që janë në dispozicion. Kosova nuk ka mundësi të prodhojë teste dhe varet nga importi, por Raka thotë se është shumë vështirë furnizimi me to për shkak të kërkesës së madhe globale për këtë produkt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




