Kryeministri Edi Rama mbrojti strategjinë e ndjekur nga Qeveria për testimet, duke deklaruar se gjatë një kontakti me ekspertë gjermanë të shëndetit publik, këta të fundit nuk kishin vërejtur asnjë ndryshim mes strategjisë së ndjekur nga Gjermani dhe asaj të ndjekur nga Shqipëria për të parandaluar përhapjen e pandemisë.
“Kemi pasur një kontakt me ISHP Gjermani, mora pjesë edhe unë për ta ndjekur, për të mësuar dhe kuptuar. Mund t’ju them që ata s’kanë parë asnjë diferencë mes strategjisë së tyre dhe tonës. Sistemi i testimeve bazohet tek simptomat dhe kontaktet. Të njëjtën gjë bën stafi ynë në drejtimin e ekspertëve, duke nisur tek simptomatikët dhe për të gjurmuar rastet”, tha ai.
Kryeministri i cilësoi sajesa dhe broçkulla akuzat e Partisë Demokratike për abuzime dhe korrupsion me tenderat e shpallur sekret për materialet kundër Covid-19.
“Kjo është e vetmja opozitë ku që flet për çuarje prapa hekurave, për dosje në prokurori, korrupsion me tendera, lloj-lloj broçkullash, sepse i është dhënë mundësia që përpara se të bëjë këto shfaqje të bëjë diçka tjetër, të marrë informacion dhe për të qenë pjesë e një tryeze. Opozita nuk i është përgjigjur sfidës së madhe. Por së paku Presidenti po bën gjënë e duhur”, deklaroi Kryeministri në një intervistë për Real Story në News24.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




