Një pacient 73-vjeçar, i konfirmuar me Covid-19 dhe i intubuar prej 24 ditësh ka ndërruar jetë në spitalin “Shefqet Ndroqi” mbrëmjen e së hënës, duke e çua në 29 numrin e viktimave nga koronavirusi. Pacienti 73-vjeçar me inicialet H.K., nga Durrësi ishte prej thuajse 1 muaji në gjendje të rëndë, me Insuficience respiratore akute. 73-vjeçari vuante nga pneumonia bilaterale, detres i rëndë respirator (ARDS), me sëmundje bashkëshoqëruese Talasemi Minor dhe Hipertension Arterial. Megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të stafit mjekësor në terapinë intensive, 73-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.
Më herët gjatë ditës, zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli bëri me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 10 raste pozitive me Covid-19, nga të cilat 9 raste janë në Tiranë, shumica kontakte familjare, dhe 1 rast i ri është në Shkodër.
Rakacolli theksoi gjithashtu se 12 pacientë janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 422. Zëvendësministrja deklaroi se 57.3 % e totalit të të prekurve janë të shëruar dhe ky numër është më i lartë se të infektuarit aktiv.
“Deri sot, 28 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje megjithatë përpjekjet e stafit mjekësor. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 29 të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 1 pacient është i intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 1 pacient është i intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 34 pacientë,” shtoi Rakaçolli
Ndër të tjera harta e të prekurve vijon:
| Bashkia | Të prekur | Të shëruar |
| Tiranë | 302 | 187 |
| Shkodër | 105 | 61 |
| Krujë | 92 | 8 |
| Durrës | 42 | 37 |
| Fier | 37 | 27 |
| Kurbin | 31 | |
| Korçë | 19 | 18 |
| Elbasan | 18 | 15 |
| Kukës | 18 | 10 |
| Lezhë | 14 | 14 |
| Has | 14 | 12 |
| Kavajë | 9 | 8 |
| Lushnje | 7 | 4 |
| Vlorë | 5 | 4 |
| Pukë | 5 | 4 |
| Mirditë | 5 | 3 |
| Rrogozhinë | 4 | 4 |
| Tropojë | 4 | 4 |
| Berat | 3 | 2 |
| Mallakastër | 1 | |
| Mat | 1 |
Si çdo ditë Rakaçolli përsërit thirrjen për qytetarët, që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura, edhe më shumë në përpikëri më të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore.
“Këto masa duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40,” shtoi më tej zëvendësministrja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




