Sociale

Lehtësimi i masave: Nga e hëna fasha e lëvizjes zgjerohet në 2 orë

Nga dita e hënë fasha e lëvizjes për qytetarët do të zgjerohet nga 90 minuta në 2 orë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një komunikim me publikun, ka njoftuar strategjinë e rihapjes graduale, duke filluar nga dita e nesërme.
“Duke filluar nga dita e hënë, datë 27 prill, do të zgjerohet fasha e lëvizjes për qytetarët nga 90 minuta në 2 orë, duke ruajtuar parametrat e sigurisë të distancimit social dhe duke zgjeruar mundësinë e kryerjes së shërbimeve thelbësore në një hapësirë kohore më të gjerë”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë ka bërë të ditur edhe kategoritë e bizneseve që do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre duke respektuar protokollet e miratuara që janë të publikuara në e-albania. Të hënën në datë 27 prill do të lejohen të ushtrojnë aktivitetet nga ora 05:00-17:30 bizneset si: dyqanet e veshjeve, të tekstileve, të këpucëve dhe artikujve prej lëkure, dyqanet që tregojnë mobilje, pajisje të ndriçimit dhe artikujve shtëpiakë, dyqanet e luleve, bimëve, të kafshëve të shtëpisë dhe ushqimit të tyre në dyqane të specializuara, shërbimi taksi, dyqanet e pajisjeve elektronike, lodrave për fëmijë, pajisjet sportive, pajisjet e telekomunikacionit.
“Këto biznese lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre vetëm duke plotësuar dhe zbatuar protokollet e miratuara, duke siguruar kushtet e detyrueshme higjieno-sanitare dhe respektimin e distancimit fizik, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe punonjësve”, bëri të ditur ministrja.
Duke ritheksuar se nga dita e hënë do të fillojë lehtësimet e posaçme në “zonat e gjelbërta”, Manastirliu ka bërë të ditur se do të ketë fasha orare të lëvizjes të përcaktuara për të moshuarit, për qytetarët që shkojnë në punë apo lëvizin me automjete, por në çdo rast duke shmangur grumbullimet. Janë klasifikuar si zona të gjelbërta ato qarqe apo bashki të cilat rezultojnë deri sot, me risk të ulët të transmetimit të infeksionit të shkaktuar nga Covid-19: Qarku Dibër; Qarku Gjirokastër
Zona e përbashkët e bashkive Sarandë, Konispol, Himarë, Delvinë dhe Finiq;
Zona e përbashkët e bashkive Prrenjas, Pogradec dhe Librazhd si dhe Bashkia Divjakë.
“Në zonat e gjelbërta lëvizja e pensionistëve do të jetë nga 6:00- 08:30 të mëngjesit. Qytetarët e tjerë do të lëvizin nga ora 09:30 deri 17:30, të shoqëruar jo më shumë se me një person. Në zonat e gjelbërta parqet do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe për 14 ditë dhe nuk do të lejohet grumbullimi dhe qëndrimi i më shumë se dy personave bashkë ne hapësirat publike. Sa u takon mjeteve private të transportit ato do të lejohen të qarkullojnë pa autorizim vetëm brenda Qarkut ose Bashkive përkatëse nga ora 09:30 deri 17:30, vetëm me një pasagjer”, tha Manastirliu.
Duke e vlerësuar situatën si dinamike, Manastirliu tha se çdo hap do të ndërmerret me përgjegjësi maksimale, për mbrojtjen së pari dhe mbi të gjitha, të jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

Pipero: Epidemia e mirëkontrolluar, hyn në fazën e dytë
Mjeku infeksionist, Prof. Pëllumb Pipero, tha për DW se treguesit kryesorë të kësaj faze shfaqen në dy aspekte: “Në aspektin epidemiologjik dhe atë klinik. Në aspektin e parë vlerësohen – koha që ka kaluar nga rasti i parë që u prek me COVID – 19, ecuria e epidemisë në bazë të numrit të rasteve të reja të konfirmuara dhe piku i saj, që për viruset respiratore përkon nga java e katërt deri në javën e gjashtë. Në aspektin klinik tregues është numri i shtrimeve në spital që tregon për ecurinë e butë të epidemoisë, uljen e kurbës së rasteve të shtruara dhe rritjen e rasteve të shëruara. Ndërkohë që rastet e rënda me rrezik jete, kanë filluar të ulen”, u shpreh Pipero.
Ai thekson se në fazën e dytë, që është më e gjatë se e para, barrën më të rëndë e ka shërbimi epidemiologjik, “që duhet të hetojë në mënyrë inteligjente për të parandaluar shpërthimin e vatrave të reja. Shërbimi spitalor pritet të jetë më i lehtësuar, nëse qytetarët vazhdojnë të respektojnë si deri më tani rregullat, që edhe pse disi të lehtësuara nuk duhet të ulin vigjilencën dhe kujdesin. “Rastet e reja janë asimptomatikë (pa simptoma), kontakte të kontakteve me të infektuarit zbulohen nga shtimi i testimeve. Kemi më shumë raste pozitive, por më pak të sëmurë. Ky është një trend normal dhe i qëndrueshëm i epidemisë, që mendoj se është menaxhuar më mirë sesa në vende të tjera të rajonit” sqaroi Pipero.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë