Në fillim të muajit Mars, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi publikoi një foto (në faqen e tij në Facebook) duke krasitur një pemë.
“Burojë, në prag të pranverës. Koha e krasitjes së pipave të tepërt”, komentonte Thaçi. Ta shikosh ftohtë, ky nuk ishte lajm.
Por, postimi i tij u bë viral dhe i komentueshëm për kohën se kur ajo u publikua. Ishin dy debate; ai për dialogun Kosovë-Serbi dhe posti që po “i tundej” nën këmbë Albin Kurtit si kryeministër.
Në fund të muajit, djali i Presidentit të Kosovës, Endrit Thaçi, pak pas rrëzimit të qeverisë “Kurti” rishpërndau foton e babait të tij. Por me një modifikim. Në pemën e krasitur nga i ati, shihej fotografia e Albin Kurtit. Postimi u komentua mjaft dhe Thaçi u detyrua të sqarojë publikisht se krasitja nuk kishte të bënte me rrëzimin e Qeverisë. Reagimi i Thaçit për të birin nuk pati jehonë, por simbolika po…
…Të kthehemi në Tiranë. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shpërndau sot një video duke drejtuar i vetkënaqur një makinë korrëse bari, në kopshtin e shtëpisë së tij në Gjirin e Lalzit. Prej kohësh, Ilir Meta nuk shpërndan video pa një simbolikë të caktuar si ajo me macen, me qen e shegë. apo me ngjitjen nëpër male.
Ajo që të bën përshtypje në videon e tij (ashtu si edhe në rastin e Thaçit) është koha se kur e hedh. Dy ditë më parë, Ilir Meta, i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vendosë përfundimin e mandatit si anëtar i Gjykatës së Lartë për Ardian Dvoranin e për pasojë edhe largimin e tij nga posti i kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Dvoranit i ka përfunduar prej vitesh mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe debati mbi kushtetueshmërinë e ushtrimit të detyrës prej tij, ka kohë që vijon.
Kërkesa e Ilir Metës erdhi në një kohë kur në tavolinën politike po diskutohet jo pak për një afrim mes tij dhe kryeministrit Edi Rama.
Monika Kryemadhi tha dy ditë më parë se mes tyre nuk kishte afrimitet njerëzor, por nuk përjashtoi bashkëpunimin institucional. Pyetja që lind rëndom pas kërkesës së beftë ndaj Dvoranit është; A ka ndonjë pakt të fshehtë mes Ilir Metës dhe Edi Ramës për emrin e tij?.
Kjo pritet të kuptohet shpejt…
…Kushdo që e sheh videon e Metës sot i shkon ndërmend shprehja e urtë; “Ç’të mbjellësh do të korrësh”. Deri më tani, Meta nuk ka mbjellur gjë. Në lojë është vetëm Dvorani. Të paktën publikisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.