Sociale

I riu asimptomatik shkeli rregullat dhe infektoi prindërit, Rama: Do ndëshkohet

Për të ilustruar rëndësinë e zbatimit të masave kufizuese për mospërhapjen e koronavirusit. , Kryeministri Edi Rama solli si shembull një rast nga testimet e së enjtes të Institutit të Shëndetit Publik.

“Djali me Covid19, pa simptoma thyen rregullin e del nga Tirana drejt një zone tjetër të vendit, ku jetojnë dy prindërit e tij të moshuar. U shkon prindërve në shtëpi dhe u transmeton bombat në trup! Prindërit dalin të dy pozitivë dhe jo vetëm mosha, po edhe shëndeti i tyre problematik, i kthen në pacientë me jetën në rrezik”, shkruan kreu i Qeverisë në rrjetet sociale.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10157683100636523

Për djalin në fjalë, Rama thotë se do të nisin hetimet dhe ai mund të ndëshkohet si administrativisht, ashtu edhe penalisht pas ndryshimeve të Kodit Penal.

“Por si mund t’u bëhet një “peshqesh” i tillë njerëzve më të dashur në botë?! A e kuptoni se kjo nuk është lojë?! A e kuptoni se në këtë luftë, kush shkel rregullat nuk ia hedh shtetit, po ia fut vetes dhe familjes së tij?! A e kuptoni se ne jemi potencialisht armiku vrastar i prindërve tanë, nëse nuk respektojmë rregullat, duke u sjellë si karagjozë të papërgjegjshëm me veten, me prindërit, me familjen e me shoqërinë?!”, thotë më tej kreu i Qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë