Sociale

KE, 180 milionë euro Shqipërisë për Covid-19

Shqipëria do të përfitojë brenda 12 muajve 180 milionë euro sipas propozimit të Komisionit Europian në kuadër të mekanizmit të ndihmës makrofinanciare, ku Bashkimi Europian ka vendosur 3 miliardë euro në dispozicion për dhjetë vende partnere dhe kandidate për anëtarësim.

Draft-propozimi është miratuar nga ana e Komisionit, por që të hyjë në fuqi ai duhet të marrë edhe pëlqimin nga Parlamenti dhe Këshilli Europian. Komisioni është optimist se miratimi edhe nga këto dy institucione të tjera të BE-së nuk do të vonojë.

“Duke patur parasysh nevojat emergjente për shpërndarjen e kësaj ndihme, Komisioni beson fort në bashkëpunimin e bashkëligjvënësve që të garantohet një adoptim i shpejtë dhe pa pengesa i propozimit”, thotë Komisioni.

Nga paketa e ndihmës makrofinanciare (macro-financial assistance, MFA) prej 3 miliardë eurosh, 1.2 miliard propozohet që t’i jepen vetëm Ukrainës, ndërkohë që në rajonin tonë Bosnja, si vendi më i goditur nga pandemia e koronavirusit do të përfitojë 250 mln euro, ndërsa Kosova 100 mln euro. Serbia nuk bën pjesë në listën e vendeve që përfitojnë nga kjo ndihmë.

Fondet, që sipas propozimit të Komisionit Europian duhet të disbursohen brenda 12 muajve nga miratimi i Parlamentit dhe Këshillit Europian do të jepen në formën e kredive të buta dhe të favorshme për të ndihmuar vendet përfituese në nevojat urgjente financiare që kanë.

Këto fonde duhet të përdoren për të garantuar stabilitet makroekonomik dhe për të rritur kapacitetet e vendeve përfituese në përballimin e pasojave shëndetësore, sociale dhe ekonomike të pandemisë.

“Solidariteti europian nuk mund të qëndrojë brenda kufijve të unionit, sepse kjo është një krizë globale dhe në rezistojmë, ose biem së bashku. Sot, Komisioni Europian ndërmerr një hap vendimtar për të ndihmuar 10 vende joanëtare. I bëj thirrje Parlamentit dhe Këshillit që ta miratojnë pa vonesa këtë paketë”, deklaroi Komisioneri i Ekonomisë, Paolo Gentiloni.

Miratimin e paketës nga ana e KE e përshëndeti edhe përfaqësuesi i zyrës së Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.

“Ndihma e Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë në kohën e koronavirusit shënon një tjetër hap të rëndësishëm. Komisioni propozoi të alokojë një fond prej 180 milionë eurosh për Shqipërinë, në formën e huave me kushte tepër të favorshme për të ndihmuar vendin të mbrojë qytetarët e tij dhe të lehtësojë pasojat social-ekonomike”, shkroi ambasadori Soreca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë