“Paratë nga krimi janë të paamnistueshme, ashtu si të politikanëve, të rrethit të tyre familjar, të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe punonjësve të shtetit që janë subjekt i deklarimit të pasurive. Nuk mund të legalizohen asnjëherë këto para apo asetet e tyre”, do të theksonte kryeministri Rama, duke risjellë në vëmendje të publikut Amnistinë Fiskale, që sipas tij, edhe kriza aktuale nuk do ta linte jashtë vëmendjes.
Por ka nga ata syresh në radhët e ekspertëve që këtë nismë të qeverisë në kohë krize të thellë e konsiderojnë pikërisht një nxitje nga ato grupe që kryeministri formalisht përjashton.
Për ekspertin Zef Preçi një nismë e tillë është jo vetëm e padobishme, por edhe e rrezikshme për zhvillimet social-politike dhe ekonomike në periudhën e afërt.
“Nisma për Amnistinë Fiskale, e përsëritur si retorikë politike e qeverisë, dëshmon faktin se ajo gjendet në një situatë të vështirë për të siguruar likuiditetet e nevojshme në kushtet kur borxhi publik po rritet tej limiteve të mundshme, kur veprimtaritë ekonomike janë pezulluar dhe ka gjasa që pezullimi të vazhdojë edhe për disa javë të tjera dhe kur konsumi ka pësuar rënie të ndjeshme. Ndërkaq, risjellja e kësaj teme si një mundësi për të mbledhur disa dhjetëra miliona Euro shtesë në të hyrat buxhetore, tregon edhe se ndikimet oligarkike mbi vendimmarrjen e qeverisë dhe të Parlamentit dhe shqetësimet për presionin e parave me origjinë informale e kriminale përbëjnë një shqetësim real dhe nuk janë thjesht dhe vetëm retorikë politike e opozitës dhe analistëve, siç e trajton qeveria…”- thotë Preçi për gazetën “Si”.

Preçi e konsideron këtë veprim të kryeministrit Edi Rama si një pabesi ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Sipas tij, ka shumë mundësi që FMN miratoi përpara pak javësh mbështetjen financiare emergjente ndaj Shqipërisë në këmbim të heqjes dorë nga qeveria prej krijimit të Korporatës së Investimeve dhe Aministisë Fiskale.
Kështu që risjellja e kësaj teme, në debatin politik të ditës dhe përpjekjet për legjitimimin e saj me aktet ligjore pëkatëse, në mungesë të konsensusit poltik të brendshëm (opozita e ka denoncuar në vijimësi këtë nismë), e konsesusit publik (ekspertë, analistë, akademikë etj, e kanë denoncuar gjithashtu), mungesa e konsensusit të institucioneve financiare ndërkombëtare (veçanërisht FMN dhe ËB) për ekspertin Preçi, mbetet vetëm një lojë politike, e cila mund të kënaqë interesat e lobistëve,oligarikëve, por edhe të grupeve kriminale për të zbardhur paratë e paligjshmne që ato kanë grumbulluar, por mendoj se thellojnë pakënaqësinë e qytetarëve dhe të bizneseve që respektojnë ligjin duke paguar rregullisht tatim-taksat.
Për të kjo nismë është një kërcënim i rrezikshëm për zhvillimet social-politike dhe ekonomike në periudhën e afërt.
Kurse Gjergj Buxhuku i Kondindustrisë nuk e sheh me size të errta Amnistinë Fiskale, por me kusht që të merret dakordësia e Institucioneve dhe Agjencive Ndërkombëatre, të cilat kanë qenë kundër dhe shpesh e kanë thënë hapur mendimin e tyre.
“Është e vështirë të thuhet nëse amnistia i jep frymëmarrje të gjerë ekonomisë, por ajo që është e sigurt është që ekonomia ka nevojë për likuiditet. Dhe ato para që do të amnistohen, janë para të shqiptarëve, pavarësisht mënyrës se si ato janë transformuar, ato është mirë të jenë brenda vendit.”- thotë Buxhuku për gazetën “Si”.
Buxhuku shpjegon se Shqipëria ka detyrime politike ndaj vendeve të tjera me të cilët ka marrëdhënie dhe marrëveshje. Nga raportet e ndryshme ndërkombëtare, sqaron ai, Shqipëria është futur sërish në zonën gri të pastrimit të parave të zeza.

“Aty mund të qarkullojnë edhe para të grupeve terroriste dhe kjo e tejkalon hapësirën e ngushtë të Shqipërisë, prandaj duhet marrë aprovim fillestar nga instituiconet ndërkombëtare për një ligj të tillë me kaq ndjeshmëri dhe delikat. Pa miratimin e tyre, unë e quaj të vështirë të ketë sukses ky ligj. Është një process që mund të ndërlikohet në të ardhmen”- mendon kreu i Konfindustrisë.
Për Buxhukun me gjithë teknkinën e paraqitur për të aplikuar ligjin që sipas kreyministrit do të miratohet nga Parlamenti brenda muajit maj, është pak e vështirë të ndalosh kalimin e parave nga një subjekt në një tjetër, nga një person në një tjetër dhe të legalizohen paratë e grupeve që me ligj përjashtohen.
“Kjo amnisti legalizon paratë, por nga ana tjetër vë në pikëpyetje, gadishmërinë e personave për të legalizuar këto flukse parash. Duke qenë se kemi një amalgam ligjesh që janë në qarkullim; OFL, antimafia, antiterrorizëm e pastrim parashë, mendoj se do ta ulin gadishmërinë e njerëzve për të vetdeklaruar.”- thotë Buxhuku.
Sipas tij, në këto 30 vite sistemi ekonomik dhe institucional nuk ka funksionuar siç duhet, por njerëzit janë detyruar të mbijetojnë. Prandaj, sqaron Buxhuku, janë krijuar flukse të caktuara parash në ekonominë gri, ku institucionet shtetërore nuk kanë qenë të afta të mbajnë barazinë e bzineseve në garë dhe bzineset janë detyruar të konkurojnë sipas mënyrës së vetë për të mbijetuar. “Por është e detyrueshme të legalizohen tanimë ato para, paratë e emigrantëve jashtë vendit, punonjëist që punojnë në informalitet.Paratë kriminale dhe të korrupsionit duhen përjashtuar siç e përmendi edhe kryeminsitri.”- shprehet Buxhuku.
Por ai sugjeron se përpos miratimit të institucioenve dhe agjencive ndërkombëtare, nuk duhet të lihet në momentin e fundit një strategji e mundshme se si do të përdoren këto para.
“Duhet menduar përpara se ku do të drejtohet ky fluks parash.”- thotë Buxhuku.
Për një sërë ekspertësh ekonomia shqiptare nuk ka terren për një vendim të tillë pasi, ka nivel të lartë informaliteti dhe dekurajon qytetarët për të paguar taksat.
Ata e argumentojnë nismën se “Sa është i mirë legjitimimi i kapitaleve që vijnë nga puna e ndershme por për arsye të ndryshme nuk janë paguar në kohë, aq është edhe e dëmshme dhe e rrezikshme. Një ekonomi që ka volumin më të madh të parave jashtë kanaleve bankare në 20 vitet e fundit, një ekonomi që ka 30-50% nivel informal, nuk ka terren të mjaftueshëm për të kryer amnisti fiskale. Çfarëdolloj amnistie në thelb dekurajon qytetarët dhe bizneset për të paguar taksat, njëkohësisht krijon terren të favorshëm për të legjitimuar investimet e rrezikshme”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



