Politike

Ëndrra europiane, e pamundur

Teksa koronavirusi zgjeron frakturat në BE, shpresat për një Europë më të madhe veniten.

Nga Andrea Dudik & Flavia Jackson – Fshati shqiptar Shishtavec, pranë maleve të thepisura që shenjojnë kufirin me Kosovën, është në qoshen më të varfër të një prej vendeve më të varfëra të Europës. Vendasit janë të lidhur me ankesat ndaj korrupsionit dhe historitë e të afërmve të tyre që përpiqen të ndërtojnë të ardhmen në Europën Perëndimore. Ka edhe diçka tjetër që ata ndajnë: një ëndërr që një ditë edhe ata do të lejohen të integrohen me pjesën tjetër të kontinentit.

“Të gjithë, madje edhe fëmijët e vegjël, thonë se duan të anëtarësohen në Bashkimin Europian”, thotë 34-vjeçari Rakan, një fermer që flet pak anglisht, ashtu si edhe shqip, bullgarisht dhe pak gjermanisht. “Por është e pamundur sepse duhet shumë ndryshim.”

Shqipëria ka trokitur në derën e BE-së për më shumë se një dekadë, dhe këtë pranverë, më në fund, dukej se u çel drita jeshile. Më 25 mars, qeveritë në bllokun e 27-vendeve dhanë miratimin e tyre për negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe fqinjën e saj Maqedoninë e Veriut. Por teksa koronavirusi po shkatërron madje edhe ekonomitë më të pasura të Europës, ëndrra shqiptare duket më e pakapshme se kurrë.

Mes shpërthimeve të forta të Covid-19 në Itali dhe Spanjë, BE po përpiqet t’i mbajë anëtarët e saj aktualë të bashkuar. Shtetet anëtare kanë rivendosur kontrollet kufitare për të ndaluar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe po “grinden” nëse do të emetojnë borxh të përbashkët në formën e “coronabods” për të paguar dëmin ekonomik të shkaktuar nga virusi. Kjo brishtësi do të thotë që Shqipëria, një vend me shumicë muslimane, me një popullsi prej 2.9 milion banorësh dhe një pagë mesatare mujore prej 493 dollarësh, nuk ka gjasa të bëhet anëtare së shpejti.

“Bashkimi Europian është i preokupuar me pandeminë dhe duke kursyer ekonomitë e saj, dhe nuk ka aftësi të brendshme për t’u marrë me ndonjë proces të zgjerimit, edhe nëse një vend kandidat do t’i plotësonte të gjitha kriteret e hyrjes”, thotë Zarko Puhovski, shkencëtar politik në Universitetin e Zagrebit.

Ashtu si homologët e tij në BE, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendosi kufizime për njerëzit që hyjnë dhe vijnë nga një vend. Por ai ishte tmerrësisht i inatosur kur BE kufizoi eksportet e furnizimeve mjekësore për vendet jo-anëtare. “BE nuk mund dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të përjashtojë Ballkanin Perëndimor nga qasja në tregti për këto mallra thelbësorë për shëndetin e popullit tonë,” njoftuan mediet lokale atë çfarë deklaronte kreu i qeverisë së vendit. (Deri në 16 prill, Shqipëria ka raportuar 518 raste me Covid-19 dhe 26 vdekje.)

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë

Shqiptarët kujtojnë se si u lanë jashtë pjesës tjetër të botës. Vendi njihej si Koreja e Veriut e Europës nën regjimin e Enver Hoxhës, diktatorit komunist që sundoi prej vitit 1944 deri në vdekjen e tij në 1985. Fillimisht Shqipëria u rreshtua në aleancë me Bashkimin Sovjetik dhe më vonë me Kinën. Mandej Hoxha u nda me të dy, duke i fajësuar se i kishin zbutur tejmase parimet marksiste-leniniste.

Gjatë një kohe që shumë shqiptarë tani e quajnë “eksperiment”, ushqimi ishte me racion. Udhëtimi ishte i ndaluar. Makinat dhe uji i nxehtë i pakufizuar ishin të rezervuar për një pakicë të vogël të zgjedhur me kujdes. Dhjetëra mijëra bunkerë betoni, të cilët tani janë kryesisht të shkretë, u ndërtuan përreth fshatit dhe pranë detit Adriatik, me premisën për të mbrojtur kombin nga armiqtë e tij.

Pasi komunizmi ra në 1990, Shqipëria kaloi një periudhë të paqëndrueshme kolapsi ekonomik dhe trazira sociale. Rreth 800 mijë shqiptarë u larguan jashtë vendit, duke krijuar një diasporë të gjallë që ende mbështet shumë familje në vendin e origjinës. Pastaj një seri reformash ekonomike dhe politike dhe një orientim i fortë pro-perëndimor e ktheu kursin e gjërave, duke fituar anëtarësimin e vendit në NATO në 2009. Shqipëria aplikoi për t’u anëtarësuar në BE në të njëjtin vit.

Hedhja e bustit të diktatorit Enver Hoxha

“Që prej viteve 1990, motoja ishte për t’u anëtarësuar në BE dhe kjo perspektivë nuk ka ndryshuar kurrë,” thotë Luljeta Minxhozi, zv / guvernatore e Bankës Qendrore në kryeqytet, Tiranë. “Në tërë historinë tonë, të gjitha gjërat e mira kanë ardhur nga Perëndimi.”

Në kulmin e periudhës së izolimit, shqiptarët kërkonin frymëzim përmes Adriatikut drejt Italisë. Shumë njerëz fshehurazi dëgjonin radion dhe televizion italian, pavarësisht kërcënimit të pasojave që iu kanoseshin nëse do të zbuloheshin. Shumica e të rriturve shqiptarë sot flasin rrjedhshëm italisht, dhe pothuajse të gjithë mbështesin anëtarësimin në BE, që sipas sondazheve shkon në 97% e popullsisë që është në mezipritje të anëtarësimit në BE.

Mungesa e interesit të Shqipërisë për një aleancë me Rusinë e ndan atë nga shumica e shteteve të tjera në Ballkanin Perëndimor. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u ankua për këtë orientim pro-perëndimor në shkurt pas takimit me Ramën. Kombet mund të kishin lidhje më të ngushta nëse Shqipëria nuk do të ndjehej aq e detyruar ndaj aleatëve të saj perëndimorë, tha ai. “Nuk është detyrim, është zgjedhje,” korrigjoi Rama Lavrov në konferencën në Moskë.

Franca dhe Hollanda ndaluan bisedimet e Shqipërisë me BE vitin e kaluar për shkak të problemeve të saj me korrupsionin, krimin e organizuar dhe reformat e papërmbushura. Që nga ajo kohë Shqipëria ka bërë përparime, por “nuk është në pozicion të favorshëm për sa i përket sundimit të ligjit dhe pluralizmit politik”, thotë Puhovski. “Ka ende shumë punë për të bërë në atë fushë.”

Në një mbrëmje fundshkurti në një bar të improvizuar në Shishtavec, disa burra ishin mbledhur rreth një sobe duke luajtur letra. Ata mbanin veshur disa shtresa teshash për tu ndjerë ngrohtë. Ata folën për qindra bashkëfshatarë të cilët ishin larguar nga fshati ndër vite, të lodhur duke pritur që Europa të vinte pranë tyre. Pakoja e letrave të lojës me Union Jack ishte një dhuratë, nga një i afërm i cili jeton aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar- tha një prej burrave rreth sobës që po luantge letra./Bloomberg/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë