Ngjarje

Ç’po ndodh në Maqedoninë e Veriut? 107 të infektuar në ditë. Zgjatet gjendja e jashtëzakonshme

Shënohet numri më i madh i të infektuarve me Covid-19 në bazë ditore që nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 107 raste të reja dhe 1 viktimë. Numri më i madh i të infektuarve është në Kumanovë ku janë evidentuar 44 raste, më pas vjen Shkupi me 28, Prilep 11 raste, Manastir 6, në Tetovë 5, në Veles 4, në Gostivar 2 dhe nga 1 raste në Shtip, Strugë, Kavadar, Koçan dhe Kërçovë. Pas disa ditëve që kur numri i të infektuarve ishte zbutur, në Dibër janë regjistruar edhe dy raste të reja. Në mesin e 107 të infektuarve është edhe një pjesëtar i njësitit elitar të policisë “Tigrat”. Numri total i të infektuarve arrin në 1081, ndërsa i viktimave në 46.
Deri tani janë bërë gjithsej 10422 teste në 6 qendra testimi. Në nivel qytetesh, numri më i madh i të infektuarve vazhdon të jetë në Shkup (367), Kumanovë (306), Prilep (100), Dibër (51), në Strugë (50), Tetovë (48) në Veles (40), Shtip (32), në Koçan (26) ndërsa qytetet tjera kanë nën 15 të infektuar. Në 24 orët e fundit janë shëruar 23 pacientë. Bilanci i të shëruarve shkon në 121.
Ndërkohë, lidhur me shkeljen e masave, në 24 orët të fundit 56 persona nuk e kanë respektuar orën policore, 35 prej të cilëve janë arrestuar ndërsa ndaj dy personave janë zbatuar vërejtje paralajmëruese. Nëpunësit policorë kanë zbatuar 2.854 kontrolle në adresat ku ka të regjistruar persona në vetizolim dhe nuk është evidentuar asnjë shkelje. 307 persona janë futur në izolim, ndërsa 188 kanë në vetizolim. Numri më i madh i tyre është nga rajoni i Pollogut. Në karantinë shtetërore janë sistemuar 14 qytetarë.

Teste për Covid-19 në Shkup

Zgjatet me 30 ditë gjendja e jashtëzakonshme
Për gjendjen e krijuar nga virusi është diskutuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, nën drejtimin e presidentit të vendit, Stevo Pendarovski. Aty u mor edhe vendimi për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut edhe për 30 ditë apo deri më 17 maj. “Në bazë të vlerësimeve të bëra vërehet qartë se është e nevojshme të vazhdohet gjendja jashtëzakonshme. Ky vendim do të vlejë për 30 ditët e ardhshme”, ka deklaruar presidenti Pendarovski.
Lidhur me gjendjen në Kumanovë, presidenti Stevo Pendarovski ka thënë, se qëndrimi i tij është që edhe ky qytet të futet në karantinë shtetërore, sikur edhe qyteti i Dibrës që me sukses ka përballuar gjendjen me pandeminë. Presidenti ka kërkuar që pas festave të Pashkëve, qeveria të mendojë për lehtësimin e masave të lëvizjes së qytetarëve, por edhe të vënies në funksion të kapaciteteve ekonomike.
Kryeministri dhe tre ministra në vetizolim shtëpiak
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Oliver Spasovski, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe i Arsimit, Arbër Ademi i janë nënshtruar vetizolimit shtëpiak, pas kontaktit që kanë pasur me kryetarin e Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski që ka rezultuar pozitiv me Covid-19. “Për momentin, në Qendrën lokale për Shëndetin Publik në Kumanovë po bëhen vlerësimet epidemiologjike dhe kontaktet e kryetarit Dimitrievski. Gjatë ditës, do të përcaktohet se sa dhe cilët persona do të duhet të qëndrojnë në izolim 14-ditor. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ishte e përgatitur për të gjitha skenarët, përfshirë një situatë të tillë.
Sipas njoftimeve zyrtare, puna e qeverisë në Shkup vazhdon të zhvillohet përmes komunikimit digjital. Edhe në kushte izolimi, vazhdon komunikimi i rregullt dhe koordinimi i të gjitha proceseve në vend dhe menaxhimi i krizës së koronavirusit”, thuhet në një komunikatë të qeverisë. Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani ka njoftuar se nga dita e enjte është futur në vetizolim. “Pas konfirmimit pozitiv për Covid-19 të Kryetarit të Kumanovës, e meqë të mërkurën kishim takim në Shtabin Komunal në Kumanovë, pavarësisht se gjatë gjithë kohës kam qenë me mjete mbrojtëse personale, maskë dhe doreza që epidemiologët i vlerësojnë si të mjaftueshme për t’u mbrojtur, vendosa që të enjten të mos shkoj në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë te presidenti si dhe të vetizolohem deri të martën kur duhet të bëhet testimi sipas protokolleve”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Në vetizolim shtëpiak gjenden edhe dy liderët e partive më të mëdha maqedonase Zoran Zaev nga LSDM dhe Hristijan Mickovski nga VMRO-DPMNE. Të dy liderët partiakë kishin zhvilluar më parë disa intervista me një gazetar që ka dalë pozitiv pas testit të koronavirusit.

Shkup

Gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut janë shënuar 107 të infektuar të rinj dhe një i vdekur nga Covid-19. Ky është numri më i lartë i të infektuarve brenda 24 orëve në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i pandemisë. Gjithsej numri i të prekurve nga virusi në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 1081 persona, prej të cilëve 46 vetë kanë ndërruar jetë, ndërsa janë shëruar 98 persona./Alsat-M, DW


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë