Ngjarje

…në Durrës…

Dhjetëra lokale, biznese e hotele në Durrës janë kthyer në vitrina karrigesh të mbledhura grumbull. Deti vazhdon të jetë ndjellës, por jo më për frekuentuesit e qytetit bregdetar që shfrytëzonin orët e mbasditeve, të fundjavave, ditët me diell apo sido që të ishin. Karantina i ka kthyer restorantet, baret, kafenetë që para Covidit ishin të tejmbushura nga njerëz, në godina të boshatisura, të cilat prezantohen nga tabelat hyrje.

Rudi Lila është administrator i Tavernës së Detit. I ka hedhur çelësat biznesit menjëherë sapo infeksioni u përhap, dërgoi punonjësit në shtëpi. Ai thotë për gazetën “Si” se ka aplikuar për pagën e luftës dhe se i vjen keq jo vetëm për punën, por edhe për punonjësit që dërgonin të ardhura nga angazhimi në restorant.

Gazeta Si: Për çfarë keni nevojë ju më tepër si biznes?

Rudi Lila: Situata është katastrofike, ka një muaj e ca që e kam mbyllur biznesin, pra që nga data 10. Në 11 u dha vendimi nga qeveria, ne e patëm mbyllur një ditë më përpara. Por vazhdimi i kësaj gjendjeje është katastrofike, sepse duhen paguar taksat, punëtorët, siguracionet, duhet paguar çdo gjë. Kam bërë kërkesën si biznes i vogël, është miratuar paga e luftës, akoma nuk kanë filluar pagesat. Normalisht që biznesi dita-ditës vetëm rrëshqet për poshtë.

Gazeta Si: Ju ndërkohë vazhdoni t’i paguani punonjësit?

Rudi Lila: Ne normalisht gjatë periudhës së dimrit jemi 4 punëtorë, kam edhe punëtorë part-time dhe paguhen part-time bashkë me sigurimet part-time. Stabël me siguracione të plota janë katër. Ky ishte momenti kryesor i një biznesi restorant në bregdet, pasi jo bëhemi gati për verën, por ështe pranvera, ka klientelën e saj. Në këto momente që flasim më kanë thënë që do përfitoj 26 mijë lekë në muaj për secilin.

Rudi Lila, administrator restoranti

Gazeta Si: A ju shpëton paga e luftës juve si biznes?

Rudi Lila: Nuk bëhet fjalë fare, absolutisht jo. Unë thjesht pagesa ime individuale, më duhet të shtoj prapë nga xhepi për puntorët e siguruar. As që është pagesë që mua më bën punë, se nuk janë vetëm punëtorët e siguruar, por edhe detyrimet e shtetit. Unë kam taksat përpara. Për mua është shumë minus. Çështjen e qerasë e kam zgjidhur me konsensus me pronarin e ndërtesës, sepse ai është njeri i kuptueshëm dhe jo se urdhëroi qeveria.

Gazeta Si: Nëse vazhdon gjatë kjo gjendje karantinimi çfarë duhet bërë për ta shpëtuar biznesin tuaj?

Rudi Lila: Nuk e di për Zotin, nuk e kam idenë. Është një sakrificë tepër e madhe për mua si administrator biznesi, se këta nuk kanë bërë ndonjë lehtësim sa u përket taksave apo diçka.

Gazeta Si: Pse ju taksat i paguani ndërkohë?

Rudi Lila: Atëherë taksat vendore me sa kam informacion unë nuk janë shtyrë, deri në datën 20 prill unë duhet të paguaj taksat vendore. Ndaj shtetit, taksave kam qenë i rregullt dhe dua të jem i rregullt.

Edhe Saimir Kapllani, administrator i restorant Ferrarës shprehet i shqetësuar dhe thotë se ende nuk e kanë mbledhur veten nga tërmeti.

Gazeta Si: Në këtë gjendje kur veç restorantit funksionon edhe hoteli, a kanë nisur rezervimet?

Saimir Kapllani: Nuk kemi pasur rezervime, vitin e kaluar ishte situatë krejt tjetër. Ne kemi punuar me të huaj. Do bëjmë si të gjithë, s’kemi ç’të bëjmë. Ndoshta hapet do punojmë, nuk e di ç’do bëjmë. Ne mezi e morën veten nga tërmeti.

Gazeta Si: Që nga dita që keni mbyllur biznesi, a iu është ofruar mbështetje?

Saimir Kapllani: Ne presim nga paketa e dytë, se jemi biznes i madh, mbi 14 milionë.

Gazeta Si: A do t’ju shpëtojë paketa e dytë?

Saimir Kapllani: As pres gjë, nuk është se pres sa duhet, pres të kthehet në normalitet, më vjen keq për punonjësit. Kjo gjendje na shkatërroi se detyrimet vazhdojnë, detyrimet e shkurtit u paguan në mars, detyrimet e marsit do paguhen sot apo nesër, dritat janë paguar, uji është paguar, furnitorët janë paguar, se nuk është thjesht u mbyll lokali, por ke gjithë atë mall gjendje. Po unë si tua kthej. Është e lidhur zinxhir. Nuk është aq e lehtë. Kur qahem unë, imagjino te të tjerët.

Dhe përgjatë rrugës së Currilave dhe ngado ku lokalet qëndronin të mbushura me klientë ka rënë qetësia. E vetmja zhurmë në orar karantine që miksohet me dallgët e detit janë çekiçët dhe zhurmat e punëtorëve që të ndarë në skuadra punojnë në vazhdën e përpjekjeve për të përfunduar sa më shpejt shëtitoren e Durrësit. Afër pistës një qendër estetike, ka vendosur njoftim dhe lutet për shitjen e orendive të parukerisë.

Në disa lokale gjithashtu të boshatisura po shfrytëzohet koha, punëtorë të shumtë lyejnë e rregullojnë fasadën e tyre nën urdhërat e atyre që i punësuan. “Ne shpresojmë që vera do jetë normale dhe do ia dalim, dhe ndaj po bëhemi gati të na gjejnë me ambiente të reja”, thotë një administrator lokali që bën pjesë tek optimistët.

Ai madje ka marrë edhe leje në polici për të dalë nga shtëpia, me arsyetimin se duhet të rregullojë ambientin sa më shpejt pasi po vjen vera. Në Durrës ngjan se i vetmi lëshim në gjendje Covidi është ai që ju bëhet bizneseve që po restaurojnë dëmet e tërmetit. Sidoqoftë edhe ato me orar. Apartamente të tëra të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit janë të rrethuara nga fasada plastike. Diku punimet kanë mbetur në mes, diku vazhdohet të punohet edhe në gjendje karantine. Në lagjen numër 13, një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti, punëtorët duke ruajtur distancën japin e marrin me njëri-tjetrin. Po punojnë për të mbushur muret e shkatërruar të pallatit. Por leja është dhënë mjaft me vonesë. Bashkë me ta ngre mbetje inerte edhe Blerina Ibra, 40 vjece, nënë e dy fëmijëve. Ajo jetonte me qera te pallati I dëmtuar, nga tërmeti humbi strehën, pas tërmetit humbi edhe punën.

“Punoja si pastruese, kur ndodhi tërmeti, s’kisha ç’të pastroja më. Gjetëm një shtëpi tjetër. Para një viti aplikova për kredi të butë, nuk më doli, i harxhova kursimet e të gjitha po nuk ma dhanë kredinë e butë. Tani me Covidin, ngela pa bukë pa asgjë, kisha sëmurë djalin më thanë jepi paracetamol e çoje në shtëpi. Nuk kisha asnjë ushqim për t’i dhënë, aq keq jam. Më thirri pronari i pallatit dhe nga keqardhja më tha do vazhdosh prapë si pastruese. Unë e kuptoj që ata si familje po më mbajnë në punë nga keqardhja se punë pastrimi nuk ka në pallat, kur pallati është i shkatërruar. Ndaj vij për mirënjohje dhe ngre inerte, ç’të jetë”, tregon për gazetën “Si” Blerina.

Blerina Ibra mbetur pa shtëpi dhe pa punë nga tërmeti, ngre mbetjet inerte

Gazeta Si: Por pse nuk keni shkruar te bashkëqeverisja?

Blerina Ibra: Mendoni që nuk kam shkruar, jo një herë, po pesë herë. U kërkova ndihmë. U tregova çfarë po ju them, nuk m’u përgjigjën. Kam shkuar për ndihmë sociale, nuk më përgjigjen, nuk më pret njeri. Jam e varfër, burri më ka vdekur, vjet edhe vajza që kam në gjimnaz e ndërpreu shkollën sepse nuk mundesha ta mbaja. Shumë kohë e vishte dhe e mbante mësuesja, por nuk vazhdohej kështu me të falur të tjerët. Koronavirusi i vuri shkelmin e fundit familjes sonë.

Por Xhevdeti, një lypës i pastrehë ngre zërin sapo shikon mes rrugëve të boshatisura një makinë, apo ndokënd që kalon. Ai fle, lyp, ushqehet në trotuarin ngjitur me xhaminë e qytetit. Ai këndon herë pas here, pastaj drejton gishtin dhe pyet: a ke ngrënë ti, se unë jo.

Xhevdeti lypës

Në qytetin bregdetar ku ende nuk është mbyllur plaga e tërmetit, plaga e re që pritet të hapë Covid-19 pritet të jetë negative për ekonominë. Megjithatë ata më fanatikët pas detit, edhe në orë karantine, qofshin me fëmijë të vegjël, atletë apo edhe të dashuruar, duket sikur e harrojnë ca çaste pandeminë, duke qëndruar pranë bregdetit përtej fashës së lejuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë