Kur njoftoi në fillim të javës së kaluar se duke filluar që nga kjo e hënë masat kufizuese do të lehtësoheshin disi, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi disa herë se hapja do të ishte graduale dhe për më tepër në varësi të ecurisë së përhapjes së koronavirusit në vend.
Ditën që njoftonte këtë vendim, Ministria e Shëndetësisë raportonte vetëm 7 raste të reja me Covid-19 dhe një numër më të lartë personash të shëruar. Por, në fundjavë u rikthyen sërish në shifra relativisht të larta rastet e reja, veçanërisht në Shkodër, që pas Tiranës u bë qyteti i dytë më i prekur në vend.
Kjo përhapje duket se ka kushtëzuar Qeverinë që të tregohet e vetëpërmbajtur në lehtësimin e masave të lëvizjes, duke lëshuar me njërën dorë dhe duke tërhequr më fort me dorën tjetër. Sipas urdhrit të botuar në Fletoren Zyrtare, nuk preket rregulli i daljes vetëm për një person në familje, edhe ai/ajo me autorizim, por tashmë jo për 60, por për 90 minuta.
Lehtësimi tjetër ishte edhe zgjatja e orarit të shërbimeve për farmacitë, ushqimoret dhe bankat deri në orën 17:30. Këto vlejnë për pesë ditët e javës dhe në ndryshim nga fundjavat e kaluara, fundjava që kemi përpara do të jetë plotësisht izolim. Vendimi përcakton se duke filluar nga e premtja, ora 17:30 dhe deri të hënën në orën 05:00, pra për dy ditë e gjysmë, në qendrat urbane të Shqipërisë do të ndalohet çdo lëvizje, me përjashtim të mjeteve të transportit të mallrave ushqimore. Deri fundjavën që lamë pas, rregulli zbatohej duke filluar prej orës 13:00 të të shtunave deri në orën 05:00 të të hënave.
Por, përse ky ashpërsim dhe zgjerim i masave përgjatë të gjithë fundjavës? Arsyeja e parë duket se lidhet me parashikimin e ekspertëve, që javën e tretë të muajit prill e kanë cilësuar vendimtare në betejën me Covid-19. Pikërisht në këtë javë pritshmëritë e tyre janë që të ulet numri i infektimeve të reja.
“Nëse zbatojmë urdhrat, nga fundi i javës së dytë dhe fillimi i javës së tretë do të fillojnë të zbuten shumë. Unë kam thënë që kjo javë dhe java tjetër janë vendimtare. Javën e tretë të prillit do të fillojnë të bien shifrat me të infektuar”, deklaronte mjeku Pëllumb Pipero.
Por, shifrat e publikuara në fundjavë paralajmërojnë se kurba mund të mos njohë zbritje edhe për javën e ardhshme dhe aq më tepër që përpara janë edhe Pashkët Ortodokse, ku prirjet janë që njerëzit të lëvizin më shumë.
Veç kësaj, shpërfillja e masave të distancimit fizik në Shkodër duket se është peshorja mbi të cilën duket se autoritetet po peshojnë rëndësinë e këtyre masave, ndaj mbyllja totale e fundjavës nuk është krejtësisht rastësi.
Data 21 prill konsiderohet si testi i radhës për matjen e suksesit të masave kufizuese. Kjo datë përkon me plotësimin 14-ditor të rritjes në mënyrë eksponenciale të rasteve të reja me Covid-19, ndërkohë që zona e kuqe në dy javët e fundit është Shkodra, ku numri i të prekurve ka shkuar në të paktën 70.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




