Nga IMZOT GEORGE FRENDO -Dita e Pashkës është drita që e dëboi errësirën e tokës. Jezusi hyri në errësirën e vdekjes dhe të varrit. Por errësira u shndërrua në dritë kur Jezusi doli nga varri i vdekjes.
Disa gra shkuan tek varri i Jezusit për të lyer me erëra kufomën e tij. Por një engjëll u tha: “Përse e kërkoni të gjallin ndër të vdekur? ”Janë fjalë që sot, në një situatë që nuk flet përveç se për virusin vdekjeprurës dhe vdekjet, kanë një domethënie të madhe. Mesazhi i Pashkëve nuk mund të na transformojë në profetë të mjerimit. Sot Jezusi tërheq vëmendjen tonë drejt gjërave të bukura që na rrethojnë dhe drejt një të ardhmeje më të mirë. Ngjallja e Krishtit na frymëzon atë shpresë për të cilën ne, si individë dhe si popull, kemi aq shumë nevojë sot. Dhe shpresa lind kurajë. Prandaj mos të shkurajohemi edhe në këtë situatë të tensionuar të cilën po përballojmë në këtë moment. Mos të shkurajohemi as kur dëgjojmë për numrin e madh e të prekurve nga virusi. Shqipëria ka përjetuar situata shumë të vështira, më të vështira sesa situata e tanishme.
Para disa ditësh, në mjetet e komunikimit është transmetuar momenti kur unë dola nga Kisha – ishte bosh – dhe dola në oborrin e Kishës për të bekuar rrugët e qytetit dhe gjithë Shqipërinë. Më telefonoi një grua, më tha se kishte qarë ndërsa shihte kishën krejt bosh. Por unë kam kujtuar momentin kur Maria Magdalena shkoi tek varri i Jezusit. Ishte bosh, dhe ajo qante para varrit. Por duke qarë dëgjoi një zë: “Pse po qan?” Ishte zëri i Jezusit, i cili e thirri me emër: “Maria!”
Tani jemi ne që po qajmë. Por vjen tek ne Krishti i ngjallur, thërret secilin prej nesh me emër, e na thotë: “Pse po qani? Unë jam ngjallja dhe jeta!”
Pra kurajë, fort të dashur! Dhe le t’i shpallim botës lajmin e asaj dashurie guximtare dhe ngadhënjyese. Sepse Krishti u ngjall! Aleluja! Gëzuar Pashkët!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



