Sociale

Lleshaj: Do t’i thërrasim vetë qytetarët për të tërhequr kartat ID dhe pasaportat

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u shpreh se autoritetet do t’i thërrasin vetë qytetarët si në rastet kur kartat e identitetit dhe pasaportave tashmë kanë skaduar dhe kërkojnë rinovim, ashtu edhe për ato që janë prodhuar dhe duhen shpërndarë.    

Gjatë një vizite në Durrës, Lleshaj tha se se është prodhuar një numër i madh kartash ID dhe pasaportash, ndërsa qytetarët do të thirren nominalisht për të lënë takim dhe për t’i tërhequr këto dokumente për të cilat kanë bërë aplikimet.

“Shfrytëzoj këtë mundësi për të komunikuar me publikun në lidhje me shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave të prodhuara  ndërkohë. Dihet që për arsye të pandemisë, janë ndaluar veprimtaritë e zyrave të aplikimit për pasaporta dhe karta identiteti, por ndërkohë një numër i madh kartash ID dhe pasaportash janë prodhuar dhe ne do të marrim masa që sipas një skeme të caktuar dhe shumë të sigurt, të mundësojmë që këto të shpërndahen. Për këtë arsye zyrat përkatëse që janë përgjegjëse për shpërndarjen e kartave ID dhe pasaportave dhe bëhet fjalë për disa mijëra syresh, do të fillojmë nga nesër që të thërrasim qytetarët nominalisht, për të lënë takime për të marrë në dorëzim kartat apo pasaportat”, është shprehur Lleshaj.

Ndër të tjera, ai ka thënë se “për të gjithë qytetarët e tjerë, të cilët nuk kanë pasur mundësi të paraqiten për t’i rinovuar kartat apo pasaportat e tyre, theksoj që të gjitha kartat apo pasaportat, të cilave u ka mbaruar afati i vlefshmërisë gjatë periudhës së epidemisë, ky afat vlefshmërie nuk do të njihet, pra ato do të konsiderohen të vlefshme për aq kohë sa pandemia do të zgjasë në Shqipëri apo më tej”.

https://www.facebook.com/lleshajsander/videos/214574896528869/

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë