Ndryshimet e fundit në Kodin Penal, të depozituara sot në Kuvend, në kuadër të masave ndaj Covid-19 do të komentohen jo vetëm në rrafshin politik. por edhe më gjerë për vetë përmbajtjen, që ato kanë.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo komenton se propozimet e fundit për burgime (deri në 15 vjet) nuk i ka sot as Kina Popullore.
“Rama, me burgimet që as Kina Popullore nuk i ka, tregon se po e humbet mendjen a toruan.
Fatkeqsisht kemi edhe një sinjal më shumë se qeveria po humbet mendjen e toruan, ndërsa gjithë shoqëria përballet me sfidën shëndetësore dhe social-ekonomike të epidemisë covid19.
Qeveria Rama njofton se do të ashpërsojë, madje në disa raste trefishojë, dënimet penale për shkelësit e karantinës; madje dënimet me burg don t'i bëjë edhe më të rënda se në Kinën Popullore”, - shkruan Pollo, duke nënvizuar se në kushtet e Shqipërisë kjo është e panevojshme.
“Tek ne, nga fillimi i marsit e deri sot, qytetarët kanë reaguar me përgjegjësi ndaj apelit publik për distancim social, kufizim të daljes në rrugë e të aktivitetit publik. Për më tepër apeli publik është mbështetur njëzëri nga politikanë të mazhorancës e të opozitës, autoritete shëndetsore dhe personalitete publike. Edhe kur tek tuk janë shkelur rregullat, ligji në fuqi ofron masa shtrëngimi e dënime të bollshme. Nuk raportohet që policia t'i ketë përdorur gjerësisht ato masa; aq më pak rezulton se qenkan tepër të buta e të pamjaftueshme.
Sa për ligj e rregull po të flasim për ndëshkim penal, duhet të fillojmë me ata që urdhëruan bllokimin e dhjetëra qytetarëve shqiptarë për tre netë në kufi, duke shkelur me katër këmbë ligjet, kushtetutën e konventat europiane”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.