Rend dhe Ligj

Policia: Shqiptarët rezidentë jashtë nuk do të lejohen të hyjnë në Shqipëri

Policia e Shtetit njoftoi se shqiptarë rezidentë në vende të tjera, nuk do të lejohet të hyjnë në Shqipëri. Deklarata e Policisë vjen pas prej disa ditësh tashmë në kufurin Greqi-Shqipëri (kryesisht në Kapshticë) ka pasur dhjetëra emigrantë shqiptarë të bllokuar.

“Është me rëndësi që të kuptohet nga të gjithë se hyrja dhe dalja nga territori i vendit tashmë është një përjashtim i imponuar nga situata e pazakontë. Qytetarët shqiptarë që punojnë, jetojnë dhe janë rezidentë në vende të tjera nuk mund të udhëtojnë drejt Shqipërisë, për sa kohë zgjat situata e jashtëzakonshme. Për qytetarët e tjerë, që janë rezidentë vetëm në Shqipëri, të cilët situata e jashtëzakonshme i ka zënë në mënyrë të papritur në vende të tjera, ekziston mundësia e kthimit të rregullt në Shqipëri. Për këtë kërkohet që ata të drejtohen paraprakisht në përfaqësitë diplomatike apo konsullore të RSH-së në vendet përkatëse, për t’u paraqitur me autorizimin e hyrjes në vend”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu Policia u bën thirrje gjithë shqiptarëve që mos marrin udhëtime drejt Shqipërisë pasi nuk do të lejohen, por të marrin autorizim nga konsullata apo Ministria e Jashtme.

“Në konsideratë të sa më sipër, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që janë rezident në vende të tjera, që të mos ndërmarrin udhëtime drejt Shqipërisë, për sa kohë zgjat gjendja e emergjencës. Në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që janë rezident vetëm në Shqipëri dhe që kanë mbetur jashtë saj, për arsye të ndryshme, të mos ndërmarrin udhëtim pa marrë më parë autorizimin përkatës nga përfaqësitë diplomatike apo konsullore përgjegjëse në vendin ku ata gjenden”, vijon më tej deklarata e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë