Kryeministri Edi Rama akuzoi mediat se po transmetojnë pamje të 2-3 ditëve më parë nëpër pikat kufitare të Kakavijës dhe të Kapshticës. Ai thotë se aktualisht situata është e qetë në këto dy pika doganore, ku policia shqiptare nuk lejoi për orë e ditë me radhë hyrjen e shtetasve shqiptarë që mbërrinin nga Greqia.
Kryeministri tha se këtë të hënë, në Kakavijë nuk ka asnjë qytetar shqiptar të bllokuar, ndërsa në Kapshticë deklaroi se janë 19 automjete, që të gjithë shtetas shqiptarë rezidentë në Greqi që nuk kanë arsye të forta për t’u lejuar që të kalojnë kufirin.
Rama akuzoi Sali Berishën se me trajtimin e kësaj çështjeje nuk synon zgjidhjen e problematikës, por nxitjen e trazirave sociale.
“Sali Berisha ka vetëm një synim, të rishkatërrojë Shqipërinë për mendimet e tij halucinante. E përmende këta emër sepse është zanafilla e një procesi skandal politik nxitjeje të rrëmujës, që në këtë rast është edhe nxitje e zinxhirit të vdekjeve, vdekjesh që është larg së qëni nëse do të shkohej me mend e Saliut dhe të atyre që njësoj si Saliu i bien këtij avazi, që është shumë i fajshëm në këtë kohë”, deklaroi ai.
Megjithatë, Kryeministri tha se dera e doganave nuk do të mbyllet për të gjithë. Ai deklaroi se për personat me arsye të forta kthimi dhe që nuk janë rezidentë në vendet nga vijnë do të aplikohen kushte të forta.
“Do të vetëkarantinohen me shpenzimet e tyre për 14 ditë në hotele. Pra, në një dhomë të mbyllur ku do të marrë ushqimin dhe do të paguajë vetë një çmim fiks. Kjo është e vetmja mënyrë që ne mund të mbrojmë popullin tonë dhe Shqipërinë nga katastrofa dhe të mundësojmë hyrjen për ata që janë vërtet me një arsye”, u shpreh Kryeministri.
Rama e cilësoi papërgjegjshmëri ardhjen e refugjatëve në kufi, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve në Shkodër që të respektojnë rregullat dhe të mos shpërfillin masat elementare të mbrojtjes nga virusi, siç është distancimi social. Mosrespektimi i këtyre masave, tha ai, e kanë kthyer Shkodrën në një bombë të kurdisur me sahat.
Lehtësohet lëvizja, por pa…datë
Qeveria do të vendosë në ditët në vijim dhe në varësi të analizës të efektivitetit dhe të zbatimit të rregullave ekzistuese nga ana e qytetarëve. Lehtësimet kryesore paralajmërohen në sektorin e transportit për ata që janë në punë.
“Do të hapim orarin e lëvizjes për të bërë pazar, do e bëjmë 90 minuta dhe kryerja me automjet e privat e pazarit do të jetë e mundur, por me ndëshkime të mëdha. Duam të lehtësojmë më tutje aktivitetet në njësi individuale në dyqane, njësi shërbimi, jo lokale, jo palestra, por dyqane dhe njësi shërbimi që nuk janë brenda qendrave të mëdha tregtare, që do të vazhdojnë të jenë mbyllur. Kush ka njësi të tilla të përgatiten të pajisin me maska, doreza me dezinfektantë njësitë e tyre. Mosrespektimi i këtyre masave do të dënohet me konfiskim të gjithçkaje ka brenda, me mbyllje për një farë kohe dhe deri me heqje lirie. Nuk kemi rrugë tjetër”, u shpreh ai.
Megjithatë, Rama paralajmëroi se për shkelësit e këtyre rregullave do të aplikohen penalitete të rënda, deri tek heqja e lirisë.
“Hapja e aktivitetit të ndaluar do të dënohet me burg, heqje patente, sekuestrim të makinës dhe sekuestrimin e gjithçkaje që ka aty brenda. Masat duhen lehtësuar pak nga pak për 99.9 për qind të njerëzve që respektojnë rregullat e që sakrifikojnë, që mbajnë fëmijët brenda, që përkujdesen për të moshuarit, që orën e lejuar e përdorin edhe për prindërit t'i çojnë ushqime, për të shkuar e kthyer nga puna. Nuk bëhen për këta që hapin lokalet dhe këta nuk duhet të marrin mesazhin e gabuar që u hap loja”, tha ai.
Masa të forta ndëshkimore do të zbatohen edhe për shkelësit e rregullave të vendosura për qarkullimin me automjete private, ku do të lejohet vetëm një person në makinë.
“Marrja në automjet e personave nga familja, apo edhe e personave të tjerë do të ndëshkohet me disa vite, kjo është për t’u caktuar heqja e patentës dhe sekuestrimi po aq vite i makinës dhe deri tek heqja e lirisë”, deklaroi Rama.
Rama: Kemi shmangur tragjedinë
Kryeministri thotë se sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Shëndetësisë, nëse Qeveria nuk do të kishte ndërmarrë masat shtrënguese të ashpra në kohë, sot Shqipëria do të numëronte më shumë se 10 herë të infektuar dhe viktima të koronavirusit.
Rama paraqiti dy projeksione në dy skenarë, njëri për skenarin më negativ dhe tjetrin për skenarin mesatar të përhapjes së pandemisë.
"Sot do të kishim 3008 të infektuar me projeksonin maksimal, në projeksionin mesatar do të ishim 600. Ne sot kemi më pak. Ky është rezultati i masave kufizuese. Nëse nuk do t'i kishim marrë këto masa do të kishim 286 të vdekur, me projeksionin mesatar 40 të vdekur", deklaroi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.