Një lajm tragjik vjen nga Franca. Mjeku i ekipit të Reims, që merr pjesë në kampionatin elitar, Bernard Gonzalez, i ka dhënë fund jetës. Ishte në karantinë bashkë me gruan e tij dhe nga analizat rezultoi se ishte prekur nga koronavirusi. Mjeku ka lënë një letër për të shpjeguar gjestin.
Sapo mësoi se ishte infektuar nga Covid-19, ai i dha fund jetës. Bernard Gonzalez, 60 vjeç, ishte mjek dhe përgjegjës i stafit mjekësor të Reimsit, ku luan futbollisti kosovar, Arbër Zeneli. Arsyet e vendimit ekstrem doktori i ka bërë të ditura në një letër që ka lënë në shtëpinë e tij, ku ishte në karantinë bashkë me gruan. Edhe ajo rezulton të jetë e infektuar nga koronavirusi, siç bën me dije “Le Parisien”.
Konfirmimi i lajmit është bërë nga Arnaud Robinet, kryebashkiaku i Reimsit në një komunikim për “Afp”. “Jam i shokuar dhe shumë i prekur nga lajmi, sepse e njoh prej vitesh. Përveçse se doktori i Reims, ishte edhe doktori i shumë qytetarëve. Ishte i njohur për aftësitë e tij profesionale dhe për humanizmin e tij. Do të na mungojë të gjithëve”, – ka thënë Robinet.
Mjaft i tronditur nga vetëvrasja e Gonzalez është shprehur edhe presidenti i Reims, Zhan-Pierr Kailot: “Kjo pandemi po e godet Reimsin në zemër, na ka dhënë lamtumirën një personalitet i qytetit, një profesionist i madh i sportit. Në klubin tonë do të mbetet gjithmonë një figurë e rëndësishme. Dua të ngushëlloj bashkëshorten dhe prindërit e tij. Na trondit shumë kjo dramë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




