Sociale

Covid-19 mposht ish-kampionin e boksit, kishte pësuar vdekje klinike

Ka ndërruar jetë sot në spitalin infektiv 61-vjeçari me inicialet S.K., i shtruar prej 20 ditësh në spital, në gjendje të rëndë, i intubuar. Bëhet fjalë për ish-boksierin Skënder Kurti, ish-trajner i Tiranës dhe Kombëtares në boks, i cili prej ditësh kishte pësuar vdekje klinike dhe ishte në gjende të rëndë. Në datë 23 mars, do të ishte mjeku Pëllumb Pipero që do fliste për këtë rast, i cili bëri vdekje klinike që zgjati gjatë, por që mjekët reanimatorë e kishin kthyer në jetë. Gjendja e 61-vjeçarit nga Tirana ishte rënduar së tepërmi prej disa ditësh.

Skënder Kurti

Gjatë 24 orëve të fundit ka ndërruar jetë edhe një paciente 80-vjeçare e prekur nga COVID-19. Drejtoresha e ISHP Albana Fico, ka bërë me dije se pacientja ka qenë e shtruar në spitalin rajonal Shkodër dhe që në fillim ka qenë e dyshuar për koronavirusin e ri. Fico deklaroi se pacientja ka qenë në gjendje shumë të rëndë dhe për këtë arsye nuk është kryer transportimi. Sipas aj, janë shtuar edhe 28 raste të reja të prekura nga koronavirusi në vendin tonë. 361 persona janë të infektuar në total, ndërsa 104 janë shëruar.

“Aktualisht në Shërbimin Infektiv gjenden 64 pacientë, 5 prej të cilëve janë në terapi intensive, ndërkohë që 1 mbetet i intubuar. Ndërsa në Spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” ndodhen 7 pacientë të shtruar, prej të cilëve 6 janë në terapi intensive dhe 2 prej të cilëve janë të intubuar. Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 5 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 104. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 71 pacientë,” u shpreh Fico.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive:

  • Tiranë 174 raste
  • Durrës 36 raste
  • Lushnjë 5 raste
  • Elbasan 10 raste
  • Fier 25 raste
  • Kavajë 8 raste
  • Rrogozhinë 4 raste
  • Korçë 16 raste
  • Vlorë 5 raste
  • Shkodër 38 raste
  • Lezhë 14 raste
  • Berat 1 rast
  • Has 9 raste
  • Krujë 5 raste
  • Tropojë 4 raste
  • Pukë 4 raste
  • Mirditë 3 raste

Fico deklaroi se kjo rritje e numrit të rasteve në Tiranë dhe Shkodër, ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të distancimit social.

Ekspertja shtoi se qytetarët duhet të respektojnë masat e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe nëse kanë shenja të sëmundjes të kontaktojnë menjëherë numrin 127, në të kundërt nëse kërkojnë informacion të kontaktojnë në numrin 0800 40 40.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë