Pas Partisë Demokratike, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka gjetur klecka ligjore në zbatimin e Aktit Normativ për qiratë.
“…Akti normativ i qeverisë bie ndesh me Kodin Civil dhe me Kodin e Procedurës Civile, ku parashikohet rregullimi i institutit të qirasë. Mbi këtë bazë, akti normativ është i pazbatueshëm, pra edhe i pavlefshëm.
Prandaj, shtesa e bërë nga qeveria me aktin normativ nr. 12, datë 2.4.2020 në aktin normativ nr. 3 të datës 15.3.2020, për shtyrjen e detyrimit të pagesës së qirasë për dy muajt, prill dhe maj, si dhe pagesën e tyre në mënyrë proporcionale pas muajit maj 2020, është vetëm mashtrim”, shkruan Luan Rama.
Sipas tij, pagesa e qirasë është nje detyrim, e drejtë kontraktuale, apo edhe një marrdhënie ku palet futen me vullnet të lirë e ku qeveria “nuk hyn dot me asnjë instrument ligjor, pra as me akt normativ”.
“Askush nuk do të mund të guxojë të mos e shlyejë detyrimin e pagesës së qirasë bazuar në aktin normativ të qeverisë, nëse palët qiramarrës – qiradhënës nuk bien dakord reciprokisht me njëri – tjetrin. Kontrata hartohet në bazë të Kodit të Procedurës Civile, ku parashikohen të gjitha rastet, edhe rastet kur detyrimi mund të shtyhet, të vonohet apo edhe të shuhet, ashtu siç parashikohen edhe shkaqe madhore, fatkeqësi natyrore, gjendje lufte etj. që kushtëzojnë apo rregullojnë marrëdhënien kontraktuale.
Por në çdo rast dhe në çdo rrethanë, kjo është gjithmonë e drejtë e palëve dhe ku qeveria nuk hyn dot”, – shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




