Në më shumë se një orë, kryeministri Edi Rama në një komunikim live në Facebook foli për shumëcka lidhur me masat e ndërmarra deri më tani, sanksionet e reja që qeveria po diskuton deri edhe në heqje lirie për ata që do të shkelin masat ndaj covid-19 dhe jo vetëm për ata. Rama foli gjithashtu për qiratë, duke folur për herë të parë edhe për subvencion nga shteti për raste të caktuara.
“Disa nga sqarimet që besoj janë të nevojshme duke ndjekur reagimet e pyetjet tuaja në orët e fundit.
Qiratë. Debati publik që mori formën e një sulmi në vazhdën e sulmeve të atyre që edhe në mes të luftës nuk po ndryshojnë dot pllakën e gramafonit të këngës së shëmtuar të paraluftës, kishte në thelb lemerisjen që si mundet shteti të ndërhyjë në një marrëdhënie private.
Në kohë normale do ishte skandal, por jemi në kohë lufte e ne jemi në detyrimin të mbrojmë këdo që janë më në hall.
Individët që jetojnë me qiranë e një mjedisi që e kanë në pronësi e s’kanë të ardhura të tjera, absolutisht që do jemi ne që do i mbështesim për këtë periudhë. Si? Me një subvencion, ashtu sikurse edhe për bizneset e vogla që s’do e paguajnë qiranë deri në këtë limit të vendosur që edhe mund të shtyhet, por që kur të përballen me qiradhënësin, të mos jenë vetëm. Jo masën e qirasë por një pjesë të saj, subvencion“, tha Rama. Të njëjtën gjë, kryeministri e përsëriti edhe më vonë, i nxitur nga komentet live gjatë komunikimit në Facebook. Por sa do të jetë granti? “Se sa do të jetë kjo do tua themi kur të kemi paketën e zgjeruar”.
“Lehtësira për lëvizjen, burg për ata që shkelin masat”
Kryeministri Edi Rama foli për masat e marra deri më tani dhe sanksionet e reja.
“Qëllimi është të mbrojmë këdo që kemi përreth dhe se bashku të mbrojmë Shqipërinë popullin shqiptar. Jeta nuk ka cmim. Hallet janë për njeriun dhe cka nuk të vret të forcon…
Sot kemi pasur 27 persona të infektuar pozitiv, jemi në një moment shumë kritik të luftës dhe duke vene re që për shkak të ecurisë pozitive të kësaj përpjekje shumëkush ka filluar të mendojë me shumë sec duhet për të nesërmen dhe të harroje prioritaren që është mbrojtja e jetës dhe duke ju lexuar ju në mënyrë të vazhdueshme për të kuptuar më shumë dhe ndjerë me shumë kam vënë re që shumëkush ka filluar të kërkojë gjëra që është ende herët për t’i kërkuar,.. Sot po të mos kishim marrë të parët masat që morëm dhe po të mos kishte qënë ky mirëkuptim mbarë popullor dhe rezistenca e mrekullueshme e 99% e popullatës ne nuk do të numëronim 17 të vdekur që janë jetë njerëzish që dhëmbin pa diskutim, por do të ishim në një tunel prej ku nuk do të dilnim dot pa mijëra të vdekur… “
Rama paralajmëroi se do ketë në vijim lehtësim të lëvizjes me makina për ata që shkojnë në punë, por tha se është duke u diskutuar një shtrëngim penaliteti për ata që e shkelin urdhrin e ri deri në heqje lirie.
“Bazuar mbi këtë ecuri pozitive kemi mundësi të mendojmë për të liruar me pikatore disa masa, shkallë shkallë, për të lehtësuar psikologjikisht jetën tuaj, por nuk kemi në asnjë mënyrë të drejtë dhe kemi detyrimin të mos hedhim hapa të nxituar.
Ndërkohë dua tu them se nëse do të zgjedhim të fillojmë me disa lehtësime patjetër që duhet të bëjmë edhe disa shtrëngime, se do jemi më të rrezikuar nga ata që nuk duan të dëgjojnë e të kuptojnë që shfaqen aty këtu duke kërcënuar të kthehen në bomba.
Ajo që po konsiderojmë është që duke lehtësuar fjala vjen fashën orare apo lëvizjen me automjet për punë të të gjithë atyre që janë në një punë që sot lejohet e që nuk e kanë të mundur të lëvizin të gjithë me automjetin e tyre privat duhet të rrisim sanksionet për ata që do e shkelin hapësirën e kufizuar të lirisë, e duhet të shkojmë ndoshta deri në heqje lirie për dikë që merr një automjet për të shkuar në punë dhe e përdor mjetin e tij për të transportuar edhe të tjerë
Kjo është tani në diskutim në shtabin tonë, pas kësaj do kem një diskutim të gjerë e të gjatë”.
“Denonconi ata që ju paguajnë në të zezë…”
Kryeministri paralajmëroi masa të ashpra edhe për ata që mbajnë punonjësit në të zezë, madje deri edhe në heqjen e lirisë.
“Për punën në të zezë është shumë problem dhe ata vërtetë janë në hall, por ju lutem shumë atyre të vërtetëve, jo atyre që i qajnë hallet atyre dhe nuk kanë bërë asnjë punë për vete, si mund ta zgjidhi shteti këtë çështje.
Si ta zgjidhi shtetin hallin e shumëkujt që ka punuar në të zezë, sepse nëse do të thoshim që do të paguajmë të gjithë ata që punojnë në të zezë do të vinin ehhe ata që vetëm komentojnë në facebook.
Ata që punojnë në një kompani në të zezë dhe sot janë në hall, ta denoncojnë se ku kanë punuar dhe kush është personi që të ka paguar në të zezë dhe t’i themi atij personi ti do ta paguash atë dhe në masat e reja, ato të pikatores së lehtësimit dhe shtrënguese, po përcaktojmë edhe një masë për ata që luajnë me gjakun dhe djersën e njerëzve, që mund të shkojë deri në heqje lirie, por duhet të denoncohen…”, – tha Rama
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.