Tirana zyrtare ka nisur operacionin për kthimin e shqiptarëve të bllokuar në shtetet e tjera për shkak të mbylljes së kufijve dhe linja të udhëtimeve ajrore dhe tokësore. Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj me anë të një postimi në rrjetet sociale bëri të ditur se ka nisur operacioni i kthimit të shqiptarëve të bllokuar në Itali dhe në Kroaci.
"Këto operacione do të vijojnë për t'i riatdhesuar shqiptarët e bllokuar në hapësirën evropiane për shkak të masave të marra në luftën kundër COVID-19. Kthimi do të mundësohet për studentet, rastet humanitare apo me nevoja të veçanta dhe për shtetasit shqiptarë me qëndrim mbi 90 ditë në vendet ku janë bllokuar", shkruan Cakaj, i cili publikon edhe numrat e emergjencës së vendosur nga qeveria shqiptare për të telefonuar.
Por kryeministri Edi Rama edhe një herë ka bërë të ditur se lista e shqiptarëve që do të kthehen është e mbyllur. Ai shkruan se do të kthehen në vend vetëm një numër i kufizuar personash të mbetur rrugëve, që nuk paguajnë hotele apo studentë në pikë të hallit.
"Prandaj e kam thënë, qysh në momentin e parë të lajmërimit të iniciativës sonë për t'i kthyer këta persona, se LISTA ËSHTË E MBYLLUR, me numër të saktë, por fatkeqësisht shumëkush nuk e ka dëgjuar dhe vazhdon të mos e dëgjojë, madje disa në vend që të dëgjojnë akuzojnë, shajnë e mallkojnë! Po s'ka problem për akuzat, sharjet e mallkimet, thjesht mos u mundoni më për të gjetur vend në avion, sepse nuk ka dhe nuk do të ketë deri në përfundimin e luftës! Më vjen tmerrsisht keq, po shpresoj në mirëkuptimin e secilit, ashtu sikundër uroj dhe besoj që të rikthyerit nuk do të luajnë me jetën e familjarëve e të të njohurve të tyre, po do të vetëkarantinohen strikt e s'do luajnë fare nga vendi", shkruan Rama.
Sipas Ramës, avioni "Lasgushi" ka sjellë një grup të parë nga Italia dhe Policia e Shtetit do të publikojë emrat e tyre dhe të të gjithë atyre që do kthehen, sipas një praktike të dobishme të disa vendeve, në mënyrë që po e shkelën ligjin e vetëkarantinimit askush që i njeh të mos u afrohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.