Sociale

Një burrë vdes dhe gruaja e tij është rëndë pas vetëmjekimit me klorokinë në SHBA

Një burrë në Phoenix (SHBA) ka vdekur dhe gruaja e tij është në kushte kritike për jetën pasi të dy morën fosfat klorokuine në një përpjekje për t’u vetëmjekuar kundër koronavirusit.
Klorokina është përkrahur nga Presidenti Donald Trump si një trajtim i mundshëm për Covid-19, por është gjithashtu një aditiv që përdoret zakonisht në akuariume për të pastruar rezervuarët e peshqve. Klorokina është miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për trajtimin e malaries, lupus dhe artritit reumatoid. Por FDA nuk e ka miratuar atë për të trajtuar koronavirusin.
Ekspertët e shëndetit theksuan se ilaçet dhe produktet shtëpiake nuk duhet të merren për të trajtuar ose parandaluar këtë virus. “Nisur nga pasiguria rreth COVID-19, ne e kuptojmë se njerëzit janë duke u përpjekur të gjejnë mënyra të reja për të parandaluar ose trajtuar këtë virus”, tha Dr. Daniel Brooks, drejtor i Qendrës së Barnave dhe Intoksikimit në Arizonë. “Por vetëmjekimi nuk është mënyra për ta bërë këtë”, tha ai.
Kjo qendër nuk dha detaje se si çifti, të dy rreth të gjashtëdhjetave, kishin siguruar klorokinën apo se si ishin trajtuar ata. Gjithsesi autoritetet e shëndetit theksuan se “brenda tridhjetë minutash nga gëlltitja, çifti pësuan efekte të menjëhershme çka i çoi ata urgjent në spital”.
Presidenti amerikan Donald Trump e ka konsideruar klorokinën dhe hidroksiklorokinën e lidhur ngushtë me të, si “ndryshuesit e mundshëm të lojës” në luftën kundër Covid-19.
“Hidroksiklorokina dhe azitromicina, të marra së bashku, kanë një shans të vërtetë për të qenë një nga ndryshuesit më të mëdhenj të lojës në historinë e mjekësisë”, u shpreh presidenti në një postim në Twitter të shtunën.

Disa hulumtime të hershme sugjerojnë se ilaçi mund të jetë i dobishëm kundër virusit. Sidoqoftë, komentet e Trump kanë bërë që zyrtarët e shëndetit të paralajmërojnë se studimi i mëtejshëm është i nevojshëm.
Dr Anthony Fauci, një nga ekspertët kryesorë të sëmundjeve infektive në vend, u shpreh se ilaçet mund të jenë efektive kundër koronavirusit të ri. Sidoqoftë, ai i tha se Trump kishte dëgjuar për efektivitetin e kombinimit të hidroksilklorinës dhe azitromicinës nga raporte anekdotike.

“Unë … kam thënë se nuk jam kundër faktit në parim që këto medikamente mund të funksionojnë, por detyra ime është të dëshmoj përfundimisht nga një këndvështrim shkencor se ato funksionojnë”, tha Fauci, i cili shërben në Task-Forcën kundër koronavirusit të Shtëpisë së Bardhë.
Në Nigeri, zyrtarët e shëndetit publik dhanë paralajmërime të forta për përdorimin e klorokinës, duke thënë se tre persona në vend kishin pësuar overdozë nga ky ilaç, menjëherë pasi Trump e kishte miratuar atë si një trajtim të mundshëm.
Shëndeti publik në Arizona tha se po kërkon me ngulm nga ofruesit e kujdesit shëndetësor që të mos përshkruajnë klorokinën për pacientët që nuk janë shtruar në spital. “Gjëja e fundit që duam tani është të kthejmë përmbys departamentet tona të urgjencës me pacientë që besojnë se kanë gjetur një zgjidhje të paqartë dhe të rrezikshme që mund të rrezikonte potencialisht shëndetin e tyre”, u shpreh Brooks.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë