Sociale

Shpresë në Itali, bie për të dytën ditë numri i viktimave

Numri i njerëzve që vdesin nga koronavirusi në Itali ra përsëri të hënën, duke nxitur shpresë se vendi fqinj mund të ketë arritur kulmin e shpërthimit të epidemisë dhe se përhapja është vënë tanimë nën kontroll.

Për të dytën ditë radhazi, rritja e numrit të infektuarve dhe viktimave të koronavirusit në Itali ka rënë. Sipas Mbrojtjes Civile Italiane, në vendin fqinj ka 50.418 të infektuar, me 3,780 pacientë që kanë rezultuar pozitivë 24 orët e fundit.

Numri i viktimave është rritur me 602 të vdekur, një bilanc që edhe pse tragjik është më i ulët se ai i ditëve të kaluara. Të dielën në Itali kishte më shumë se 700 viktima ndërsa të shtunën gati 800 të vdekur.

“Kjo është dita e parë pozitive në Lombardi, ku kemi shënuar rënie të viktimave”, tha kreu i Mbrojtjes Civile në një deklaratë.

Italia shënon tanimë 6.077 viktima, duke u kthyer në vendin më të prekur nga koronavirusi.

Po ashtu, numri i viktimave në Europë ka arritur sot në mbi 10 mijë, ku Italia pasohet nga Spanja me 2,182 viktima dhe Franca 860. Me më shumë se 184 mijë të infektuar me Covid-19, Europa është kthyer tanimë në epiqendrën e shpërthimit të koronavirusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë