Mjekët në Italinë e Veriut kanë marrë urdhra që të kenë prioritet për të shpëtuar personat e rinj në moshë. Kjo është deklarata që bën mjeku izraelit, Gai Peleg, i cili ndodhet në Parma për të ndihmuar kolegët italianë në përballimin e situatës.
Në një intervistë dhënë për mediat izraelite, Peleg deklaron se situata përkeqësohet nga dita në ditë dhe numri i pacientëve që kanë nevojë për frymëmarrje të drejtuar, pra për makineritë me respirator, rritet vazhdimisht.
Peleg rrëfen se punon në repartin ku shtrohen pacientët në gjendje më të rëndë. Ai thotë se këtu mjekët përqëndrohen t’i lënë pacientët e tyre të takohen me të dashurit e tyre në momentet e fundit, pavarësisht rregullave të forta të karantinës.
Mjeku izraelit thotë se nga ajo se çfarë ka parë dhe çfarë ka dëgjuar në spitalin ku punon, udhëzimet janë që të mos u ofrohet makineria e frymëmarrjes artificiale personave mbi 60 vjeç, për shkak të numrit të reduktuar të këtyre makinerive dhe nevojës që ato të përdoren për persona më të rinj në moshë.
Qeveria italiane deklaroi dy javë më parë se ka porositur rreth 7 mijë makineri për frymëmarrjen e drejtuar, por mbetet e paqartë nëse këto makineri janë shpërndarë nëpër spitale apo jo, megjithëse emergjenca për respiratorë për momentin përllogaritet në 7 mijë të tillë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




