Janë shtuar 15 raste të reja me COVID-19 në vendin tonë, duke e çuar numrin e të prekurve në 104 deri më tani. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu konfirmoi për mediat se harta e të prekurve është zgjeruar.
“Vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 15 raste të reja pozitive, në 45 testime të kryera. Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet tashmë edhe në Vlorë, Shkodër dhe zgjerohet në Tiranë, Durrës, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik, si Lushnja, Kavaja, Fieri, Rrogozhina ku po punohet pa u ndalur nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive,” shprehet Ministrja
Ndërsa Silva Bino, Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP deklaroi se gjatë 24 orëve të fundit janë shenduar 2 humbje jetësh, një 71 vjeçar i cili kishte edhe sëmundje shoqëruese dhe një 43 vjeçar nga Kavaja, i cili vuante nga obeziteti, ndërkohë në total numri i personave që kanë ndërruar jetë në vendin tonë është 4.
Sipas epidemiologes janë testuar deri 856 raste të dyshuara dhe harta gjeografike vijon si më poshtë:
– Tiranë 68 qytetarë
– Durrës 7 qytetarë
– Lushnjë 2 qytetarë
-Elbasan 2 qytetarë
-Fier 12 qytetarë
-Rrogozhinë 2 qytetarë
-Kavajë 3 qytetarë
-Korçë 3 qytetarë
-Vlorë 4 qytetarë
-Shkodër 1 qytetarë
Bino deklaroi se në Spitalin Infektiv ndodhen 49 pacientë të shtruar dhe 3 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve janë në gjendje të stabilizuar deri më tani.
Ndër të tjera Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve, për të pasur kujdes dhe tregon se është vënë në dispozicion linja falas 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon këshilla, apo informacion, ndërsa për shenjat e COVID-19 dhe rastet e urgjencave Ministria njofton se duhet të telefonohet në numrin unik 127.
Bino tregon se nga personat që humbën jetën, vetëm njëri prej tyre ishte në terapi intensive, ndërsa tjetri ishte me oksigjenim në pavijon dhe gjatë natës, kur ishte rënduar ishte transferuar në kujdesin intensiv. Ekspertja theksoi se për personat që kanë ndërruar jetë, ka një ligj të përcaktuar dhe varrimi e të gjitha masat merren në bazë të këtij ligji.
“Pra arkivoli nuk hapet dhe janë disa rregulla të caktuara të varrimit,” shprehet Bino.
Ndër të tjera epidemiologia tha se në karantinën shtetërore në Kavalishencë ndodhen vetëm 2 persona, ndërsa për sa i përket të depërtuarve nga Greqia, është bërë vlerësimi dhe për disa prej tyre ku kishe dyshime, janë bërë testimet dhe duke qenë se kanë rezultuar negativ janë shpërndarë pranë vendbanimeve të tyre.
“Nuk kemi pasur burime të reja në lidhje me mjekët dhe infermierët dhe kemi të njëjtin numër të të infektuarish. Nga të infektuarit e djeshëm nuk ka asnjë mjek dhe infermier. Në lidhje me ngritjen dhe përforcimin e laboratorit mikrobiologjik në QSUT po kryhen veprimet e duhura, për përgatitjet për të realizuar diagnozën COVID-19,” shprehet Bino.
Ndërkohë për sa i përket testimeve të kryera, Bino tha se nuk po kryhen pak teste, por po bëhen testet e duhura, duke mos shpërdoruar tamponët.
“Qëllimi jonë është rritja e testimeve dhe izolimi i kontakteve pozitive, testimi nuk është mjeti që zgjidh çdo gjë, sigurisht që është i rëndësishëm, por më i rëndësishëm izolimi dhe karantinimi,” tha Bino.
Ndërsa, për sa i përket testeve të reja që po përfliten për shpejtësinë e tyre për të përcaktuar COVID-19, Bino tha se po merren në konsideratë në bazë të shkallës se vlerësimit të tyre, por sipas saj pavarësisht testimit laboratorik gjykimi klinik dhe epidemiologjik është shumë i rëndësishëm.
Ndër të tjera, Bino shtoi se ISHP po përgatit protokollet për medikamentet në mënyrë që të zbatohen edhe në Shqipëri
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




