Ministria e Shëndetësisë ndryshon njoftim për viktimën e pestë nga koronavirusi. “61-vjeçar ka pësuar vdekje klinike, mjekët po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për ta kthyer në jetë! Por gjendja mbetet tepër e rëndë!”, tha Ministria.
Ndërkohë mbrëmjen e së dielës ndërroi jetë një 71-vjeçar, që ndodhej në terapi intensive në Spitalin Infektiv. 71-vjeçari me origjinë nga Kuçova, i trajtuar më herët në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, prej 7 ditësh ishte shtruar në këtë spital dhe gjatë mbrëmjes pati një komplikacion të menjëhershëm kardiak arterial. 71-vjeçari vuante nga disa sëmundje shoqëruese: kancer mushkërie, diabet mellitus, fibrilacion arterial dhe hipertension.
Pak orë pas këtij rasti, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se një 43-vjeçar nga Kavaja, që ndodhej në terapi intensive në Spitalin Infektiv kishte ndërruar jetë. Sipas njoftimit, gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar gjatë së dielës. Ministria e Shëndetësisë deklaroi se 43-vjeçari se nuk kishte sëmundje të tjera shoqëruese, përveçse ishte mbipeshë.
Viktima e parë e koronavirusit u regjistrua në Durrës dhe ajo ishte një 63-vjeçare, ndërsa viktima e dy ishte një 66-vjeçar nga Lushnja, që të dy me probleme të tjera shëndetësore bashkëshoqëruese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




