Shënohet viktima e parë në Kosovë me koronavirus. Një 85-vjeçar nga komuna e Podujevës, është personi i parë që ndërron jetë në Kosovë, teksa ishte i prekur me COVID019. Ai u infektua nga djali i tij i ardhur nga Italia.
Lajmin e hidhur e dhanë vetë familjarët e të ndjerit, të cilët thanë se ceremonia e varrimit do të bëhet vetëm nga familja e ngushtë në respekt të masave që duhen marrë ndaj koronavirusit.
“E di që shumë familjarë, miq, dhe shokëve që ka pas baba për të marrë pjesë në varrim, po për shkak të situates së fundit e cila është perhapur edhe në Kosovë dhe ruajtjes së shëndetit tuaj, varrimi do të behët vetem nga ne familja e ngushtë.”, thuhet ne njoftimin mortor.
Numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka shkuar në 31. Qeveria po bën vazhdimisht apel te qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të zbatojnë rregullat e higjienës personale.
Pas vdekjes së tij, presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme.
Në një reagim, Presidenti ka falënderuar mjekët dhe ka kërkuar nga qytetarët të rrinë në shtëpi si masë për të parandaluar virusin COVID-19.
“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen nga Dumnica e Podujevës, anëtari i së cilës është viktima e parë e virusit COVID-19 në Kosovë. Ne duhet t’i ndihmojmë mjekët, duke qëndruar të mbyllur në shtëpitë tona dhe duke i zvogëluar mundësitë e përhapjes së këtij virusi. Institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme, që në rast nevoje të shpallet menjëherë Gjendja e Jashtëzakonshme. Duke punuar së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë!”, ka shkruar Presidenti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




