I ftuar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, mjeku Tritan Kalo tha se përforcimi i masave dhe ndërgjegjja individuale e njerëzve mund të bëjë që të shmangim skenarët e ngjashëm me Italinë. Ndërkohë që Ministria ka bërë me dije se janë shtuar kapacitetet respiratorëve për terapinë intensive.
“Jam shumë dakord për masat e marra për distancimin social, është mirë që janë përforcuar, në mendimin tim mund edhe të përforcohen më tepër. Sepse është e vetmja mundësi që u tregua efikase në eksperiencën kineze në ngadalësimin e sëmundjes dhe mbi të gjitha për ta shuar atë gradualisht. Nëse do të tregoheshim liberal, siç u treguan fqinjët tanë në Itali, me tej britanikët e spanjollët, kjo do të bënte të shfaqeshin në vendin tonë skenarë të ngjashëm me to”, tha Kalo.
Ndër të tjera mjeku ka deklaruar se 4 të sëmurët që janë në terapi intensive, janë mesatarisht rëndë. Për sa i përket kapaciteteve të Shërbimit Infektiv, Kalo tha se do të shtohen , ndërsa për momentin, janë 16vende që kanë respiratorë.
“Aktualisht është 12+4, plus është dhe një kat i veçantë i cili është parashikuar që 24 poste të jenë tashmë të pajisura për të vendosur ventilatorë në një moment nëse do të kemi shtrirje të formave të rënda të infeksionit tek këta të sëmurë dhe shkon pothuajse tek 36-40 poste të asistencës respiratore brenda strukturës së infektivit. Urojmë që të mbetemi në këto kapacitete për të mirën e njerëzve, pavarësisht se janë parashikuar dhe COVID 2 dhe skenarë të tjerë”, tha Kalo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




