Sociale

Një mësues i infektuar në Korçë, shkolla private kërkon vetizolim të nxënësve

Një mësues grek në një shkollë private në Korçë ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Lajmin e ka bërë të ditur vetë drejtoria e shkollës "Omiros" nëpërmjet një njoftimi, e cila thotë se rasti është zbuluar ditën e premte në datë 13 mars.
Mësuesi ështe diagnostikuar me covid 19 në Greqi, por kjo ka alarmuar prindërit dhe mësuesit e kësaj shkolle. “Të dashur prindër, ju informojmë se një person prej stafit edukativ të Shkollës “Omiros” u gjend pozitiv ndaj koronavirusit ditën e Premte datë 13/03/2020. Shkolla jonë u mbyll ditën e hënë, 4 ditë para se të shfaqej rasti, dhe ishte e vetmja ditë që dikush prej stafit dhe fëmijëve mund të ketë ardhur në kontakt me personin e infektuar, i cili nuk ishte në dijeni për problemin deri ditën që iu shfaqën shenjat e para dhe shkoi në spital, ku pas analizave rezultoi pozitiv", thuhet në njoftimin e lëshuar nga stafi drejtues i kësaj shkolle.
Më tej njoftimi i kësaj shkolle kërkohet që prindërit të marrin masat e nevojshme për kujdesin ndaj fëmijëve që frekuntojnë "Omiros". "Duke pasur parasysh dhe probabilitetin më minimal të një infeksioni të mundshëm, jemi të detyruar t’iu vëmë në dijeni që të jeni më vigjilentë në lidhje me shëndetin tuaj dhe të ndiqni udhëzimet e mëposhtme në rast se keni një prej shenjave të bëra publike e që lidhen me infektimin nga ky virus”, thuhet në njoftimin e shkollës private, e cila kërkon vetizolimin.
Më tej kërkohet që persona që erdhën në kontakt me një rast të verifikuar apo të dyshimtë të infektimit me koronovirusin e ri , si anëtarët e familjes, miqtë, kolegët, profesionistët e shëndetit ndjekin shëndetin e tyre matin temperaturën dy herë në ditë nga dita e kontaktit të fundit me këtë rast që prej 14 ditësh, duke theksuar se është i domosdoshëm komunikimi i përditshëm me profesionistët e shëndetit gjatë gjithë kohës së karantinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë