Adolfo Lettieri i prodhon dhe i dhuron çdo mbrëmje në orën 19:00. “Kam mijëra kërkesa, nuk gjenden maskat nëpër farmaci, ose atje ku gjenden kushtojnë shtrenjtë, është e padrejtë. Pse e bëj? Është e drejtë të ndihmosh të tjerët”, thotë ai.
Italia më shumë se kurdoherë po tregon në këtë periudhë të vështirë solidaritet mes vedi.
Një kliente në tapicerinë e Adolfo Lettierit, një nga ditët kur kishte shpërthyer Koronavirusi, kishte nevojë për një maskë për tu larguar për në shtëpi. Shkojnë në farmaci dhe një maskë e thjeshtë 20 lekëshë (në Shqipëri), kushtonte 15 euro.
“I pyeta, nuk ju vjen turp? Jo, u përgjigjën. Dhe u largova nervoz për t’ia treguar djalit Alessio që punon me mua në tapiceri. Ishte ai që e dha idenë që ne të ndalonim punën tonë dhe të ndihmonim njerëzit duke prodhuar maska falas. Shpërndarjen e bëjmë në orë 7 pasdite dhe policia na ka ndihmuar shumë duke ruajtur distancën mes njerëzve sepse ne nuk mund të kontrollojmë gjithçka”, tregon Adolfo Lettieri i cili ndjehet shumë i lodhur pasi nuk i del koha as për të ngrënë, por thotë se ndjehet shumë i lumtur pasi iu vjen në ndihmë atyre që kanë nevojë.
“Këto ditë kam parë njerëz të qajnë, qeshin, vetëm sepse u kemi dhuruar një maskë që si vlerë monetare është shumë e ulët, por me këtë virus kanë superuar çdo kufij. E për kaq pak të marrësh kaq shumë ngrohtësi dhe dashuri, është shpërblimi më emocionant që mund të merret…Faleminderit të gjithëve për gjithçka, për të gjithë mbështetjen dhe mirësinë që po na tregoni çdo moment”- shkruan Alessio Lettieri, i biri i Adolfos.
Adolfon nëse i hyn në punishte e gjen të emocionuar, të përlotur dhe duke nxituar që të japë maksimumin në atë që po bën për italianët e tij. “A mundet që qielli të bëhet më i zi se mesnata? Unë nuk mendoj kështu.” Adolfo Lettieri lejon që kjo frazë të rrëshqasë ndërsa koka e tij është e përkulur mbi makinën e qepjes. Syzet të ngjeshura mbi hundë për të shkuar perin në gjilpërë. Kjo është pamja e asaj që mund të quhet shpresë sepse bart vetëdije në këtë situatë frike dhë dëshpërimi, ai ka vendosur të bëjë diçka.
Ai jeton në provincën e Grossetos, Toscana ku ka një punishte tapicerie, të cilën e menaxhon me djalin e tij Alessio.
Ai mbërriti nga Napoli 40 vjet më parë.
Ka gati një javë që ai shkon në shtëpi vetëm për të fjetur. Ai i ka lënë mënjanë porositë si jastëkë zbukurues, divanë, kënde dhe perde, e ka vendosur që tani e tutje, për aq kohë sa të mundet, ai do të qepë vetëm maska të cilat nuk po mund të gjenden në të gjithë Italinë, të cilat mund të jenë vendimtare në mbrojtjen ndaj virusit.
Adolfo dhe djali i tij bëjnë gjithçka falas. “Këto maska nuk janë origjinale, por janë shumë më komode dhe rezistente se të ngjashmet e tyre që shiten në farmaci, atëherë kur ka. Ato janë bërë prej pëlhure TNT, antistatike dhe joalergjike – shpjegon Adolfo, i cili sëbashku me të birin e nisin punën në 7 të mëngjesit dhe e përfundojnë në orën 9 të darkës.
Ne gjithashtu, shton ai, u përpoqëm të bëjmë një provë: nëse fryn drejt një xhami 20 cm, kupton që nuk depërton asgjë. ” Në tre ditë ata kanë qepur më shumë se dy mijë. Ka ditë 700 në ditë ose më shumë.
Dhe sapo fjala u përhap nga dyqani i tij dhe profili i tij Facebook kërkesat janë marramendëse. “Shikoni – thotë ai – Kam pranuar mijëra kërkesa: nga shtëpitë e pleqve, nga agjenci apo institucione, madje edhe nga disa qendra mjekësore në Sardenjë dhe Italinë Veriore. Unë nuk e prisja këtë. Por a e dini pse? Sepse maskat nuk gjenden”.
Ai ka llogaritur se nga prerja e copës deri tek përfundimi i një maske duhet vetëm 1 minutë e gjysmë punë.
“Kam vendosur ta mbyll dyqanin gjatë ditës e të punoj në qetësi dhe ta hap çdo mbrëmje në orën 7 kur kam përcaktuar orën që jap masakt qytetarëve.”- shpjegon Adolfo Lettieri.
Së bashku me djalin e tij ai ka vendosur të favorizojë gratë, të moshuarit dhe fëmijët.
“Përpara dyqanit në orën 7 të mbrëmjes vijnë që nga fëmijë 8 vjeç të shoqëruar me prindërit deri tek të moshuarit 80-90 vjeç që nuk mund të dalin nga makina. Ajo që po ndodh është një gjë e jashtëzakonshme. Unë marr mijëra falënderime nga njerëz që nuk i njoh. Por unë kam dy duar dhe nuk mund t’i plotësoj të gjitha kërkesat. Unë vetëm mund të premtoj se do të përpiqem të bëj më të mirën për të vazhduar prodhimin e maskave për aq kohë sa mundem. Qep çdo ditë dhe u them që të vijnë sërisht të marrin të tjera. Nuk dua të mbeten me 1 secili ”.- tregon Adolfo i përlotur.
Po për paratë? “Nuk më pëlqen të spekuloj me fatkeqësitë e njerëzve të tjerë. Ne vendosëm t’i qepim këto maska falas dhe do vazhdojmë t’i bëjmë ato. Ka njerëz që dëshirojnë t’i paguajnë, por ne nuk pranojmë t’i marrim paratë. Ata e kutpojnë që ne e bëjmë me shpirt këtë punë”- thotë Adolfo duke treguar mbi tavolinë ushqime të paketuara që iu sjellin njerëzit që nga proshuta, djathi, byreku, etj. Adolfo vendos duart përpara syve dhe nisë të ngashërejë nga emocionet duke thënë “Nuk mundem më”. Ky është solidariteti i talianëve në kohën e Koronavirus. Adolfo është nga ata që kujton se dielli lind gjithmonë pas natës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.