Franca ka hyrë sot në karantinë, duke mbyllur kufijtë dhe duke urdhëruar qytetarët të qendrojnë në shtëpi.
Presidenti Emmanuel Macron ka urdhëruar njerëzit që të dalin vetëm për të blerë produktet thelbësore. Ai tha se masat e mëparshme, përfshirë mbylljen e shkollave, kafeneve dhe dyqaneve, kishin dëshmuar se ishin të pamjaftueshme.
“Edhe pse mjekët paralajmëronin për rrezikun që paraqiste situata ku ndodhemi, ne pamë që njerëzit të mblidheshin së bashku në parqe, tregje, restorante dhe bare, të cilat nuk respektonin urdhrin për të mbyllur dyert”, tha ai në fjalim televiziv.
“Ne jemi në luftë … ne nuk po luftojmë ndonjë ushtri tjetër dhe as kombin tonë. Por armiku është këtu, i padukshëm, i paprekshëm … dhe po përparon. Kufizimet në Francë do të jenë të zgjatura të paktën 15 ditë”, shtoi Macron, duke u zotuar të dënojë çdo shkelje. Qeveria tha më vonë se më shumë se 100,000 oficerë do të vendosen në të gjithë vendin për të zbatuar bllokimin.

Presidenti Macron gjithashtu tha që ushtria do të përdoret për të ndihmuar në transportimin e të sëmurëve në spital dhe se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale këtë fundjavë do të shtyhej. Ai gjithashtu ofroi siguri për bizneset, duke thënë se asnjë kompani franceze, nuk do t’i ekspozohet rrezikut të falimentimit.
Të martën, Ministri i Financave Bruno Le Maire zbuloi një paketë ndihme prej 45 miliardë dollarësh për të ndihmuar bizneset dhe punonjësit e prekur.
Franca deri më tani ka regjistruar më shumë se 6,000 të infektuart dhe 148 të vdekur.
Po ashtu, BE-ja do të ndalojë të huajt të hyjnë në bllok për 30 ditë pasi të gjitha qeveritë miratuan masa që rrallë merren jashtë kohës së luftës në një përpjekje drakoniane për të frenuar përhapjen e shpejtë të koronavirusit.

Macron tha se kufijtë e Francës do të mbyllen nga e marta, megjithëse shtetasit francezë do të lejoheshin të ktheheshin në shtëpi. Presidentja e komisionit Europian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje për t’i dhënë fund pjesës më të madhe të gjitha udhëtimeve në Europë.
“Sa më pak udhëtime, aq më shumë ne mund ta përmbajmë virusin,” tha ajo. “Ne mendojmë se udhëtimet duhet të zvogëlohet tani për të mos përhapur virusin më tej”, tha ajo.
Von der Leyen tha që kufizimet – të cilat nuk do të zbatohen për shtetasit në Mbretërinë e Bashkuar – duhet të zgjasin fillimisht 30 ditë, por mund të zgjaten. Banorët e përhershëm të BE-së, anëtarët e familjes të shtetasve të BE-së, diplomatët, mjekët dhe studiuesit e koronavirusit do të përjashtoheshin, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




